Pensioni i tij ka ardhur, por pasioni dhe energjia mbeten po ato të ditës së parë kur u kyç në botën e sportit. Abdulla Syla, i njohur nga të gjithë si “Xha Dulla”, është një figurë e dalluar e komunitetit futbollistik të Gjilanit. Me përkushtim, profesionalizëm dhe zemër të madhe, ai ka fituar respektin dhe dashurinë e shumë brezave.
Për vite të tëra, Syla shërbeu si sekretar dhe më pas si zyrtar i Klubit Futbollistik “Gjilani”, duke qenë gjithmonë pranë klubit edhe në kohërat më të vështira. Ai ishte pjesë e strukturave drejtuese të Lidhjes Rajonale të Futbollit në Gjilan, madje edhe në periudhën e okupimit, kur organizonte ndeshje nga livadhet e Malishevës deri në stadiumin e qytetit.
Mikpritja e tij, e shoqëruar gjithmonë me buzëqeshje, la përshtypje te çdo mysafir që shkelte në stadiumin e Gjilanit. Në karrierën e tij sportive kanë kaluar shumë gjenerata – nga drejtues klubesh, futbollistë, e deri te trajnerë.
Përmes një statusi publik, Syla ka bërë të ditur se pas 30 viteve pune e përkushtimi, po tërhiqet nga SC Gjilani, duke mbyllur një kapitull historik për klubin dhe për futbollin gjilanas.
Postimi:
Pas 30 viteve të paharrueshme në klubin SC Gjilani, që ka qenë shtëpia ime e dytë, mbyllet një kapitull i rëndësishëm i jetës sime. Ka qenë një rrugëtim me shumë sfida, emocione, fitore e humbje, por mbi të gjitha me dashuri dhe përkushtim të sinqertë.
Në këtë moment, dua të falënderoj presidentin, drejtorin, sekretarin dhe gjithë stafin përcjellës të klubit tim të zemrës, SC Gjilani, me të cilët ndava këto tri dekada pune.
Me respekt,
Abdullah Syla