Instituti Kombëtar i Shëndetësisë Publike të Kosovës (IKSHPK), u ka bërë thirrje qytetarëve që furnizohen me ujë nga Liqeni i Badocit që mos ta përdorin ujin për pije.
Kjo pasi sipas IKSHPK-së, ka një tendencë rritje të manganit si në ujin e liqenit, ashtu edhe në rrjetin shpërndarës
“Analizat e fundit laboratorike tregojnë tendencë në rritje të përqendrimit të manganit si në ujin e liqenit, ashtu edhe në rrjetin shpërndarës. Edhe pse këto vlera e tejkalojnë kufirin e paraparë në Udhëzimin Administrativ nr. 10/2021 – Cilësia e ujit për konsum nga njeriu, deri më sot ato nuk e kanë tejkaluar standardin shëndetësor që konsiderohet se mund të ndikojë shëndetin e njeriut.Me qëllim të mbrojtjes së shëndetit të popullatës, IKSHPK apelon tek qytetarët që furnizohen nga Fabrika e Ujit në Liqenin e Badocit që të mos e përdorin ujin për pije deri në njoftimin e radhës. IKSHPK thekson se ndotja e ujit me mangan është ndotje kimike dhe se vlimi i ujit nuk e eliminon manganin. Uji mund të përdoret vetëm për pastrim, mirëmbajtjen e higjienës personale dhe të ambienteve të banimit”, thuhet nga IKSHPK.