Pas shtimit të numrit të rasteve të reja me koronavirus brenda 24 orëve në nivel vendi, IKSHPK apelon qytetarët që të vazhdojnë me zbatimin e masave të institucioneve shëndetësore, pasi që vetëm në këtë mënyrë mund të arrihet deri te shuarja e plotë e COVID-19.
Sonte në Kosovë janë konfirmuar edhe 14 raste të reja, numër ky më i lartë krahasuar me ditët e kaluara kur ishte raportuar për një numër më të vogël të rasteve që kishte rënë deri në një rast të vetëm.
Me numrin e sotëm, bilanci i përgjithshëm arrin në 884 në kohën kur Ministria e Shëndetësisë ka dalë me masa për lehtësimin e lëvizjes së qarkullimit për qytetarët nga një orë e gjysmë në ditë në gjithsej tri orë.
Në një njoftim në Facebook, IKSHPK thotë se virusi akoma gjendet në mesin tonë dhe se qytetarët duhet të vazhdojnë të mbajnë distancën fizike dhe maskat, dhe se lehtësimi i lëvizjes nuk nënkupton mosrespektimin e rekomandimeve të Institutit Kombëtar dhe Ministrisë së Shëndetësisë.
“Lehtësimi i masave është bërë për të na bërë më të përgjegjshëm. Ju lutemi për kujdes të shtuar deri në shuarjen e plotë të COVID-19. Kini kujdes pasi akoma ekziston rrezik i përhapjes në vendet ku ka grumbullim të madh të njerëzve.
Virusi nuk ka këmbë, andaj mos ia jepni këmbët e juaja, sepse do të rrezikoni të gjithë e më së shumti të afërmit tuaj”, thuhet në deklaratën e IKSHP-së, e cila fton institucionet për mbajtjen e rendit dhe inspektoratet për një angazhim të shtuar gjatë ditëve në vijim.