Instituti Kombëtar i Shëndetit Publik të Kosovës (IKSHPK) ka paralajmëruar për ndikimet serioze që temperaturat e larta të verës mund të kenë në shëndetin e qytetarëve, veçanërisht tek grupet më të ndjeshme të popullatës dhe punëtorët që ekspozohen ndaj kushteve të vështira klimatike.
Sipas komunikatës zyrtare, temperaturat e larta paraqesin rrezik të shtuar për fëmijët e vegjël, gratë shtatzëna, të moshuarit, të sëmurët kronikë dhe punëtorët, si ata që punojnë në ambiente të hapura – bujqësi, ndërtimtari, pastrim të parqeve dhe rrugëve – ashtu edhe ata që punojnë në ambiente të mbyllura, si industri me ngarkesë të lartë termike ose makineri pa sistem ftohjeje.
IKSHPK rikujton se ekspozimi i zgjatur në temperatura ekstreme mund të shkaktojë probleme të shumta shëndetësore si: djersitje e tepruar, dehidrim, djegie të lëkurës, goditje nga të nxehtit, ngërçe muskulore, barkqitje, si dhe përkeqësim të gjendjes tek ata me sëmundje të zemrës, mushkërive dhe veshkave, përfshirë edhe rrezikun për goditje në tru.
Instituti rekomandon që për kohën e lejuar për punë në ambientet e jashtme gjatë temperaturave të larta, të respektohen udhëzimet e Rregullores MPMS Nr.01/2020 për sigurinë dhe shëndetin në punë, si dhe udhëzuesit praktikë të Ministrisë së Financave, Punës dhe Transfereve për “Nxehtësinë në punë – Udhëzues për vendet e punës”.
Qytetarët dhe punëdhënësit këshillohen të marrin masa mbrojtëse, të shmangin ekspozimin në diell gjatë orëve më të nxehta të ditës, të konsumojnë lëngje dhe të përdorin veshje të lehta, në mënyrë që të shmangin pasojat e rënda të nxehtësisë ekstreme.