Komunat që furnizohen nga kanali i Ibër-Lepencit nuk kanë pasur mundësi të përdorin ujin për pije për 10 ditë, për shkak të sulmit terrorist që ndodhi më 29 nëntor.
Instituti Kombëtar i Shëndetësisë Publike të Kosovës (IKPSHK) dhe Qendra Rajonale e Shëndetësisë Publike në Mitrovicë (QRSHP), kanë njoftuar se tashmë uji që kalon në kanalin e Ibër-Lepencit është i pijshëm.
Komunat të cilat furnizohen nga ky kanal tash e 10 ditë nuk e kishin përdorur ujin për pije, pas sulmit terrorist që kishte ndodhur në Ibër-Lepenc.
“Rezultatet laboratorike nga dy laboratoret , IKSHPK dhe QRSHP-Mitrovicë, për katër ditët e fundit (e premte, e shtunë, e diele dhe e hënë, 06-09 dhjetor-2024) rezultojnë brenda standardeve të parapara për ujin e pijes për të gjithë parametrat e kërkuar sipas UA 10/2021 ”Cilësia e Ujit të destinuar për konsum nga njeriu”.
“Prandaj bazuar në këto rezultate: Uji që nga sot (09.12.2024) mund të përdoret për pije”, është thënë nga IKSHPK-ja.
Sipas të dhënave që ka KRU “Mitrovica” dhe KRU “Prishtina” me aktivizimin e by-pass furnizimi me ujë nga kanali Ibër-Lepenc është stabilizuar.
“IKSHPK gjatë këtyre ditëve nga të gjitha impiantet e lartëcekura ka marrë gjithsej 100 mostra të ujit për analiza fiziko-kimike, 100 për analiza bakteriologjike si dhe 13 mostra për analiza në metale të rënda (në ujin e pa trajtuar dhe ujin nga rrjeti shpërndarës)”.
Më 30 nëntor, Ministria e Shëndetësisë kishte njoftuar se uji që kalon nëpër kanalin e Ibër-Lepencit është i papijshëm.
Aty potencohet se Instituti Kombëtar i Shëndetësisë Publike të Kosovës është në bashkëpunim të ngushtë me Kompaninë Rajonale Ujësjellësi në Mitrovicë dhe KRU “Prishtina”, ku do të monitorojnë ujin nga Kanali i Ibër Lepencit dhe do t’i kryejnë të gjitha analizat e nevojshme për t’u siguruar që uji, para se të lejohet për pije, t’i përmbush parametrat e lejuar.
Më 29 nëntor rreth orë 19:00 një shpërthim i fuqishëm në fshatin Varagë të Komunës së Zubin Potokut dëmtoi kanalin e ujit të Ibër-Lepencit, nga ku furnizohen me ujë disa qytete të vendit, si dhe Korporata Energjetike e Kosovës për ftohjen e termoelektranave të saj.
Nga shpërthimi nuk ka pasur viktima, megjithatë dëmi material, sipas autoriteteve të Kosovës, ishte i madh, meqë ishte goditur infrastruktura kritike e Kosovës dhe një pjesë e vendit rrezikohej të mbetej pa ujë dhe energji elektrike.
Autoritetet e Kosovës kanë akuzuar Serbinë për orkestrimin e këtij akti, i cili vlerësohet të jetë sulmi më i rëndë ndaj infrastrukturës kritike të vendit që nga përfundimi i luftës, krahas sulmit vdekjeprurës të paramilitarëve serbë vitin e kaluar në Banjë të Zveçanit, në Veri të vendit, i cili ka cenuar paqen e brishtë në Ballkanin Perëndimor.
Serbia, nga ana tjetër, ka mohuar të ketë gisht në të dy rastet, duke theksuar se akuzat për pjesëmarrje në këto sulme janë të pabaza, ndonëse autoritetet kosovare kanë insistuar se kanë prova të mjaftueshme që implikojnë shtetin serb në sulmet e fundit.