Të nderuar qytetarë,
Pas një rrugëtimi të gjatë në shërbim të institucioneve publike, me theks të veçantë në Administratën Tatimore të Kosovës, si dhe një karrierë në profesionin më fisnik – mësimdhënien si Profesor Universitar – sot kam marrë një vendim shumë të rëndësishëm për rrugëtimin tim profesional dhe publik.
Ditëve të fundit kam pasur oferta të ndryshme për angazhimin tim profesional, si dhe oferta për angazhim politik. Mirëpo, duke e vlerësuar lart ofertën e Kryetarit Bedri Hamza dhe të Partisë Demokratike të Kosovës për t’iu bashkuar ekipit të fitores në partinë shtetformuese, PDK-në, u ndjeva shumë i nderuar për besimin dhe mundësinë e ofruar që t’i shërbej vendit dhe shoqërisë në një dimension tjetër.
Përvoja ime profesionale në fushën e ekonomisë dhe financave, si dhe rezultatet e jashtëzakonshme në udhëheqjen e Administratës Tatimore – të vlerësuara nga institucionet vendore dhe ndërkombëtare – së bashku me përvojën time akademike, përbëjnë një garanci për qasjen time të drejtë, profesionale dhe të përgjegjshme në këtë mision të ri.
Duke u bazuar në programin me objektiva të qarta, në qasjen dhe vizionin e lidershipit të PDK-së për t’u ofruar qytetarëve zhvillim të qëndrueshëm ekonomik, qeverisje të përgjegjshme dhe llogaridhënëse, vendimmarrja ime për ti thënë PO kësaj ftese ishte shumë më e lehtë.
Të nderuar qytetarë, ju siguroj se i gjithë angazhimi im do të jetë vetëm në shërbim të interesave tuaja, duke punuar pa rreshtur për një ekonomi më të zhvilluar, një klimë më të mirë për biznesin dhe mirëqenie më të mirë për të gjithë qytetarët.
Na priftë e mbara!

