Kandidati për kryetar të Gjilanit nga lista “Guxo”, Ilir Poroshtica, ka reaguar sot lidhur me përurimin e Bulevardit 18 milionësh nga kryetari i Komunës, Alban Hyseni, dhe kryeministri Albin Kurti.
Sipas Poroshticës, Bulevardi nuk duhet të përshpejtohet, veçanërisht në fund të mandatit. Ai thekson se pjesëmarrja e qytetarëve dhe dëgjimet publike janë të domosdoshme për një proces të drejtë dhe transparent. “Sheshi është ende i papërfunduar, hyrje-daljet nga Prishtina janë në gjendje të rënduar, autostrada po ecën ngadalë, stadiumi është i nisur e i papërfunduar, po ashtu edhe qendra kulturore, stacioni, palestra dhe spitali – të gjitha projektet janë gjysmake,” tha ai.
Poroshtica apelon që të mos nisën gurthemeli të rinj pa përfunduar dhe vlerësuar projektet ekzistuese. Ai nënvizon nevojën për analiza të kujdesshme për lumin e mbuluar dhe pasojat e mundshme për mjedisin.
“Këto projekte nuk mund të ngecin në fund të mandatit. Është koha të përfundojnë të nisurat, të përmirësohen mangësitë dhe të sigurohet qëndrueshmëri e cilësi. Shkon njëri, vjen tjetri, por projektet duhet të jenë të përfunduara dhe të shërbejnë për qytetin,” tha ai.
Poroshtica përfundon me një mesazh të qartë: “Prisni. Bulevardi pret.”