Shkruan: Iliri Tahiri
Miq të dashur, jam shumë i lumtur që të ju njoftoj se në këto zgjedhje do të jem njëri prej kandidatëve për deputetë nga radhët e Partisë Demokratike të Kosovës. Si bir i dëshmorit të lirisë dhe si person i formuar në një mjedis atdhetar, ndjej obligim moral e kombëtar që t’i bashkohem listës së PDK-së, që së bashku me kolegët tjerë t’i mbrojmë vlerat e luftës së UÇK-së.
Të dashur miq, bashkë me themeluesit dhe drejtuesit e UÇK-së me procese gjyqësore po përballet padrejtësisht edhe një copë e ndërgjegjes së kombit tonë. Është detyrë mbi detyrat që ne kolektivisht të mbrojmë luftën e shenjtë çlirimtare nga të gjithë ata që synojnë të njollosin kauzën tonë të lavdishme kombëtare.
Unë kam pasur fatin që personalisht edhe nga afër t’i njoh ata. E nëse diçka kam mësuar nga ta, ajo është vendosmëria për të mbajtur rrugën e drejtë edhe atëherë kur vështirësitë na zënë rrugën.
Sigurisht, barra jonë është shumë më e lehtë se ajo që ata e morën mbi supet e tyre të njoma, kur vendosën të jetësojnë aspiratën tonë shekullore për liri. Fatmirësisht, punën e madhe ata e kanë kryer bashkë me shokët e flijuar në altarin e lirisë dhe me shokët që panë fundin e lumtur të luftës. Sidoqoftë, ne kemi detyrimet tona ndaj këtij vendi, populli e shteti.
Miq të mi të dashur, zotohem me fjalën time dhe në emër të babait tim, Abdullah Tahiri, se do t’u përmbahem pa u lëkundur përpjekjeve për të mbrojtur, ruajtur dhe zhvilluar Republikën e Kosovës, që u ngrit mbi shumë gjak, sakrifica e vuajtje nga breza e breza përgjatë shekujve.
Si organizata më e besueshme për të udhëhequr vendin, PDK-ja ofron zgjidhjen më të mirë për rimëkëmbjen e Kosovës nga puna e keqe e dy qeverive të kaluara që ua mbyllën derën miqve tanë ndërkombëtarë, që i hapën derën varfërisë në vendin tonë me paaftësinë e tyre për të menaxhuar pandeminë dhe që shkaktuan kriza të panevojshme politike për shkak të egove të sëmura.
Të dashur bashkëvendas, në emrin tim personal dhe të familjes Tahiri ju siguroj se do të bëj më të mirën që të ju përfaqësoj denjësisht në Kuvendin e Republikës dhe do të jem vazhdimisht i qasshëm për t’u dhënë zë brengave tuaja në mesin e të zgjedhurve të popullit. Unë do të bëj gjithçka që institucionet tona të dëgjojnë më mirë shqetësimet tuaja dhe të punojnë më tepër për t’i zgjidhur ato.
Për fund, në këtë mision për të mbrojtur historinë dhe forcuar të ardhmen nuk do të jem i vetëm. Në krye me Enver Hoxhajn si Kryeministër dhe krah për krah me bashkëpunëtorët tjerë në listë, PDK-ja do të sigurojë fitoren e madhe më 14 shkurt dhe do të dëshmojë veten para qytetarëve edhe një herë se mbetet adresa më e duhur për zhvillim.
#PDK #RIMËKËMBJE #HOXHAJKRYEMINISTËR #UÇK