Anëtari i PDK-së në Gjilan, Ilir Tahiri, ka reaguar ashpër ndaj atyre që kanë kaluar në radhët e Lëvizjes Vetëvendosje, duke i cilësuar si “tregtarë politikë” që kanë aderuar për interesa personale.
Ai ka kritikuar rolin e disave në politikën lokale, duke e quajtur fyese për opozitën faktin që këta individë tashmë mbrojnë politikat e pushtetit në emër të qytetarëve.
Statusi i plotë:
Është fyese për opozitën kur dikush që deri dje ishte në një taborr tjetër, e që tash e disa muaj i është ngjitur pushtetit në Gjilan, kërkon votimin e buxhetit duke luajtur rolin e parimorit, kinse i shqetësuar për fatin tonë.
Nuk e di si ndihen anëtarët e LVV-së në Gjilan kur i shohin këta individë duke folur në emër të tyre dhe të interesave të qytetarëve, kur në fakt ata kanë shkuar aty për interesa personale.
Jam ndjerë i fyer dhe vazhdoj të ndihem i fyer kur dikush në Gjilan, si parashutist politik, del e flet në emër të PDK-së. Po ashtu, edhe ata në pushtet do të duhej të ndiheshin të fyer kur interesat e tyre dalin t’i mbrojnë disa tregtarë politikë në emër të qytetarëve.
Kush ia jep mysafirit çelësat e shtëpisë, mbetet pa shtëpi.