Në inaugurimin e objektit të ri të Akademisë së Edukimit Hello, kryetari i Gjilanit së bashku me pronarin e kësaj qendre, Florian Kurteshi, pasi ka prerë shiritin, ka përgëzuar për suksesin e jashtëzakonshëm në krijimin e kushteve europiane për edukim cilësor.
“Kjo qendër për një kohë shumë të shkurtër ka arritur të dëshmoj sukses jashtëzakonisht të madh dhe jo rastësisht në ditën e çlirimit të Gjilanit e kemi shpërblyer me mirënjohje. Urime pronarëve, fëmijëve e prindërve për këtë objekt me kushte europiane për edukim”, ka thënë Haziri pas inaugurimit.
Haziri ka shfaqur besimin se nga kjo shkollë do të dalin nxënës me përgatitije të lartë, të cilët në të ardhmen do të profilizohen për t’i shërbyer Gjilanit dhe Kosovës në shumë fusha të shkencës.
Kurse, drejtori i Akademisë së Edukimit Hello, Florian Kurteshi, ka falënderuar kryetarin Haziri për prezencën dhe mbështetjen, përderisa ka njoftuar se objekti i ri ka 5400 metra katror hapsirë të brendshme dhe 7500 metra katror oborr, duke u mundësuar fëmijëve të ciklit fillor dhe atij parashkollor kushte europiane për nxënien e dijes.