Inaugurohet pllaka përkujtimore e familjeve Sadikaj, Bajramaj, Demiraj e Korbaj, në varrezat e tyre në Priboc
Në këtë ditë vjeshte, pa shi, pribocasit e bënë pranverë. Një numër i konsiderueshëm banorësh ishin grumbulluar te varrezat e Sadikajve, Bajramajve, Demirajve e Korbajve për të zbuluar pllakën përkujtimore me emrat e paraardhësve të varrosur në këtë vend.
Disa kishin ardhur nga rruga e fshatit Kranidell, disa nga rruga e Muhocit dhe e Zarbicës. Kufiri i vendosur padrejtësisht në mes Kosovës dhe Serbisë, para se me hy në fshatin Priboc, për këta sot nuk ekzistonte, ata që kishin ardhur rrugës së Kranidellit, kah Fusha e Kerreve, automjetve as nuk i kishin hequr tabelat e Republikës së Kosovës.
Në vendin shumë të përshtatshëm, ku ende dielli lëshonte rreze të zbehta, banorët e fshatit Priboc mblidhen rreth pllakës, pranë të cilës moderatorja, një vajzë e re, e hap ceremoninë e inaugurimit, e cila fillimisht i thërret për ta zbuluar pllakën: Tefik Ramadanin, Nevzad Abdullahun e Zylfi Azemin.
Fillimisht, para të pranishmëve flet anëtari i Këshillit Organizues Bajram Sadiku, i cili u uron mirëseardhje bashkëvendëseve. Ai gjithashtu, rrëfen për punën e bërë të Këshillit Organizues, prej fillimit të punës e deri te vendosja e pllakë përkujtimore si dhe për financimin e pllakës nga Sali Fejzulla Sopi, punëtorë në botën e jashtme.
Të pranishmit i përshëndeti më pas edhe Hamdi Krasniqi, nga familja e Bajramajve i cili edhe është duke jetuar në Priboc, Latush Sopi, ish mësuesi i fshatit, nga familja e Hajdinëve, Demir Abdulllahu nga familja e Korbajve, pastaj Sadri Sopi në emër të Këshillit të fshatit Priboc, Avni Musliu në emër të Bashkësisë Lokale të Zaricës.
Më pas të pranishmit i përshëndeti edhe Ramadan Xhemail Ramadani, i cili ndër të tjera tha se, ne, tri lagjet që i kemi të varrosur këtu paraardhësit tanë, punën për rregullimin e kësaj pllakate kemi filluar para disa muajve, dhe ja sot kemi arritur që ta përfundojmë me sukses, por ne nuk do të ndalemi sepse në të ardhmen do të mundohemi t’i vendosim pllaka të tilla edhe në varrezat kryesore e në varrezat e lagjeve tjera, dhe besoj këtë do ta bëjmë, sepse e kemi vullnetin.
Ismet Tafili publicisti dhe veprimtari i Malësisë së Bujanocit i përshëndeti të pranishmit i cili ndër të tjera theksoi se, viti 1999 ishte tentim i shuarjes së çdo shprese të shqiptarëve nga pushteti i Millosheviqit, sepse atëherë ai me falangat e ushtrisë e policisë serbe dëboi të gjithë fshatarët sikurse edhe në fshatrat tjera të Malësisë së Bujanocit. Ai e kishte planifikuar që vërtetë në këto troje mos të kthehet më askush, por me shqiptarët u gabua sepse vullnetin e shqiptarëve e forcën e madhe që e kanë në shpirt për t’u ringjallur, nuk e kishte planifikuar.
Populli shqiptar, hirin e ka kthyer në gjallëri disa herë gjatë shekujve, dhe si duket edhe kësaj herë këtu në fshatin tonë po ndodh kjo ringjallje. Sepse e dimë që nga asnjë familje që nuk mbeti në vitin 1999 tani këtu kanë filluar jetën 7-8 familje. Kjo tregon se zëri i baballarëve tanë të cilët e kanë lënë djersën e gjakun këtu në këto troje, zëri i të parëve të varrosur këtu, po na vjen nga thellësia tokës, duke na thënë, që mundësisht, të mos e lëmë kë të tokë pa njerëzit e vet.
Gjithashtu tha se vendosja e kësaj pllakate ka një peshë bukur të madhe, sepse po rifreskojmë kujtesën tonë historike, po tregojmë e vendosim dëshminë se ne kemi qenë këtu e këto toka janë tonat të shqiptarëve. …….
Dhe në fund falënderojë Këshillin Organizues, e në veçantë Sali Sopin i cili ka investuar gjithë këtë punë. Qoftë i nderuar e i punoftë shëndeti gjithmonë.
Më pas të pranishmit i përshëndeti edhe Baki Krasniqi, profesor në pension, i cili, po ashtu theksoi se kjo punë është një vepër e mirë dhe ju, që sot jeni këtu të pranishëm, jeni pelegrinë, jeni haxhi. Gjithashtu, pa banorët e përhershëm këtu: Hafizin, Hamdiun, Nevzadin, Rexhepin e tjerët, të cilët për mua janë heronj të ditëve tona, kjo pllakë nuk do të kishte kuptim.
Dhe krejt në fund të ceremonisë, të pranishmit i përshëndeti donatori, (financuesi) Sali Fejzulla Sopi, cili tha se, pa kontributin tuaj, kjo pllakë nuk do të mund të bëhej, por kjo, mendoj se nuk duhet të jetë e fundit, por të vazhdohet edhe në lagjet tjera. Faleminderit për të gjithë dhe zoti u ruajt.
Ismet & Genc Tafili