Organizata prestigjioze “Instituti për Paqe dhe Ekonomi” me 19 qershor të këtij viti ka publikuar Indeksin Global të Paqes 2025, një raport të detajuar për të gjitha shtetet e botës, përfshirë edhe Kosovën.
Në këtë raport paraqitet një analizë gjithëpërfshirëse e bazuar në të dhënat për trendet rreth paqes, vlerën e saj ekonomike dhe mënyrën e zhvillimit të shoqërive paqësore. Për këtë raport janë përdorur 23 tregues cilësorë e sasiorë për të matur gjendjen e paqes në tri fusha, për nivelin e sigurisë shoqërore, shkallën e konfliktit të vazhdueshëm vendor dhe ndërkombëtar dhe shkallën e militarizimit.
Në renditjen e përgjithshme, Kosova ka shënuar një përkeqësim prej 3 vendesh duke u renditur në pozitën e 63- dhe gjendet në pjesën e mesit të tabelës bashkë me Serbinë, Zambinë, Moldavinë, Uzbekistanin, Qipron, Senegalin, Liberinë, Jordaninë, Tanzaninë, Malauin, Francën, Paraguain, Nepalin, Kirgistanin, Taxhikistanin, Republikën Dominikane, Tunizinë, Guinenë Ekuatoriale dhe Bolivinë.