Njëri nga mediumet më të njohura në Kosovë ‘Indeksonline’ me 19 shtator të këtij viti kishte publikuar një lajm të rrejshëm të titulluar ““Detaje nga Karaçeva: Polic dhe fetar, por mashtrues dhe kontrabandues” për të cilin sot në mënyrë publike i ka kërkuar falje policit nga Gjilani Feat Zeqiri.
Meqë ky artikull nuk kishte asgjë të vërtetë duke i sulmuar integritetin drejtpërdrejtë policit në fjalë, ata sot kanë publikuar kërkim faljen ndaj tij.
Ja postimi i Indeksonline:
Kërkim falje publike për policin Feat Zeqiri
Me 19 shtator të këtij viti, në portalin IndeksOnline është publikuar një artikull, ku apostrofohet emri i policit, Feat Zeqiri.
Artikulli me titullin: “Detaje nga Karaçeva: Polic dhe fetar, por mashtrues dhe kontrabandues”, është publikuar nga gazetarët duke u thirrur në burime brenda policisë.
Mirëpo pas reagimit të policit Zeqiri, nëpërmjet avokatit të tij Flakron Sylejmani, të cilët e demantojnë në tërësi artikullin në fjalë, IndeksOnline i kërkon falje publike policit Zeqiri dhe familjes së tij lidhur me dëmin e shkaktuar.
Ne e kuptojmë që është një lëshim nga ana jonë, ku raporti është ndërtuar duke u thirrur vetëm nga disa burime të marra nga policia, por ju sigurojmë se IndeksOnline asnjëherë nuk ka pasur synim ta dëmtoi në asnjë formë policin e apostrofuar. /Indeksonline/