Kosova deri tani ka regjistruar 17 raste të infektuara me variantin Omicron të COVID-19, i cili vlerësohet se është më shpejt i transmetueshëm se variantet tjera.
Infektologë në vend u kanë bërë thirrje qytetarëve që të marrin edhe dozën e tretë të vaksinës Anti-COVID në mënyrë që të mbrohen nga ky virus.
Infektologu Hamdi Ramadani ka thënë se dy dozat e para të vaksinës janë më efektive ndaj variantit Omicron, andaj edhe u ka bërë thirrje qytetarëve që ta marrin dozën e tretë.
“Omicron ka paraqitur shqetësime në nivel botërorë. Është vërtetuar që dozat e vaksinës nuk kanë dhënë mbrojte, në këtë kuptim është miratuar doza e tretë edhe nga OBSH pikërisht për ta luftuar Omicronin COVID-19. Doza e tretë e vaksinës në nivel botëror është bërë për ta luftuar Omicronin COVID-19. Tani për tani kemi përqindje shumë të vogël të qytetarëve me dozën e tretë, por duhet të bëhet gjithçka që të jetë e mundshme që qytetarët të vrapojnë dhe të marrin edhe dozën e tretë, sidomos grupmoshat e caktuara, ata mbi 65 vjeç, punëtorët shëndetësorë, pacientët me sëmundje kronike”, ka deklaruar ai për Express.
Ramadani ka thënë se varianti Omicron duhet të luftohet duke respektuar masat mbrojtëse dhe duke u vaksinuar me dozën përforcuese të vaksinës.
Ai është shprehur se me praninë e këtij varianti në vend, mund të rritet numri i të infektuarve me virus.
“Mundësia e një përhapjes më të shpejtë, te Omicroni është e mundshme, pasi këtë e kanë dokumentuar edhe shumë vende. Mbetet që qytetarët t’i përmbahen këshillave që të shkojnë të marrin dozën e tretë dhe veçanërisht grupmoshat që janë të ndjeshme, moshat e shtyra 65 e tutje”, ka shtuar ai.
Ndërsa, edhe nga Ministria e Shëndetësisë u kanë bërë thirrje qytetarëve që të vaksinohen me dozën përforcuese të vaksinës.
“Marrja e dozës përforcuese kundër COVID-19 do të thotë më shumë mbrojtje nga infektimi dhe përhapja e COVID-19. Për dozën përforcuese, lajmërohuni në Qendrën më të afërt të vaksinimit, 3 muaj pas dozës së dytë të vaksinës. Vaksinohuni dhe ftoni të tjerët të vaksinohen”, kanë thënë gjatë ditës së djeshme nga kjo ministri.
Kujtojmë që varianti Omicron i COVID-19 po vazhdon të përhapet me shpejtësi në shumë shtete.
Me këtë variant po infektohen edhe ata që janë të vaksinuar me dy doza të vaksinës.
Ky variant është vlerësuar më shpejt i transmetueshëm, por më pak i rrezikshëm se varianti Delta.