11 të reja me HIV/AIDS janë raportuar përgjatë periudhës janar-maj në Kosovë.
Sipas të dhënave nga Instituti Kombëtar i Shëndetësisë Publike, shumica e të prekurve i përkasin gjinisë mashkullore.
Lidhur me këtë situatë, shefi i repartit për trajtimin e rasteve me HIV/AIDS në Klinikën Infektive të Kosovës, Murat Mehmeti, ka deklaruar për Klankosova.tv se nevojitet një nivel më i lartë i ndërgjegjësimit publik rreth kësaj sëmundjeje ngjitëse.
“Mendoj që ndërgjegjësimi nuk është i mjaftueshëm mbi sëmundjen në fjalë, dhe që duhet rritur edhe më shumë ky ndërgjegjësim”, u shpreh Mehmeti.
Ai theksoi gjithashtu se kushtet në repartin ku trajtohen pacientët me HIV/AIDS janë shumë të mira dhe se në dispozicion është terapia antiretrovirale, e cila sipas tij ka rezultuar mjaft efektive te pacientët.