Infektologu, Ilir Tolaj, që prej fillimit të pandemisë është shquar me mendimet ndryshe përbrenda komunitetit shëndetësor.
I njëjti ka folur së fundmi për situatën pandemike në vend, duke thënë se Kosova ka kaluar pandeminë e COVID-19 më mirë se shtetet tjera, duke renditur disa arsye për këtë.
“Duhet me pranu që Kosova e ka kalu pandeminë më lehtë se shtetet e tjera. Kjo nuk është meritë e institucioneve politike apo shëndetësore por meritat për kalimin relativisht deri në këtë fazë e ka struktura e popullatës pasi që nuk kemi popullatë të vjetër, e ajo na ka ndihmuar që numri i rasteve të hospitalizuar të jetë relativisht i kufizuar dhe numri i vdekjeve të jetë në një shifër më të ulët sesa në vendet e tjera”, ka thënë Tolaj për InDoks.
Tolaj gjithashtu është shprehur i bindur se, po të mos ishte fushata e partive politike vendi do ta kishte tejkaluar këtë fazë, dhe do të ishte e menaxhushme pandemia.
“Jam i bindur sikurse mos të kishte qenë fushata zgjedhore do ta kishim kaluar pa këtë fazë. Fushata e ka sjellë fazën e tretë, valën e tretë ndërsa kur e shikoj në tërësi situatën mendoj që ne relativisht mirë do të jemi në verë”, ka shtuar Tolaj.