Komuna e Gjilanit këto ditë, ka ndërmarrë iniciativën për të ndryshuar Rregulloren për fillimin dhe mbarimin e orarit të punës së subjekteve afariste në territorin e Komunës së Gjilanit NR.01.16-59035 të datës 27.06.2013.
Nga: Burim Berisha
Në favor të kësaj, është organizuar Dëgjim Publik me datën 13 Maj të këtij viti, të ftuar kanë qenë zyrtarët, qytetarët, shoqatat, grupet e interesit, bizneset si dhe bartësit e institucioneve të Komunës dhe të Kuvendit – ku për fat të keq ishte vetëm një numër simbolik i të interesuarve, për këtë plotësim dhe ndryshim rregullore.
Komiteti për Zhvillim Ekonomik në të cilin jam kryesues, ka organizuar takim me datën 20.05.2019, enkas për këtë çështje. Sepse këto plotësim ndryshime, së pari duhet të diskutohen në këtë trup të kuvendit komunal, e pastaj duhet të përcillen në KPF dhe në fund në kuvendin komunal për aprovim.
Komiteti për Zhvillim Ekonomik, i cili është i përbërë nga subjektet më të mëdha politike në KK Gjilan (LDK, VV, PDK dhe AAK), ka shqyrtuar me vëmendje rregulloren dhe kërkesat për plotësim ndryshim të rregullores së vitit 2013.
Ne si komitet, gjatë takimit mbi këtë rregullore, kemi pasur edhe një mori rekomandimesh për Drejtorinë e Zhvillimit Ekonomik dhe Kuvendin Komunal, ku kjo rregullore nëse kalon, duhet meren në konsideratë edhe këto rekomandime:
1. Bizneset të cilat do të pushojnë të dielave dhe ditëve të festave zyrtare, të përcaktohen edhe me anë të kodeve të aktiviteteve (NACE 2) primare dhe sekondare;
2. Pjesë e këtij plotësim dhe ndryshim rregullore, të jenë edhe furrat e bukës, të bëhet një listë e kujdestarisë nga ana e shoqatës së furrtarëve dhe për çdo të diele të punojë një deri në dy furra maksimum;.
3. Kjo rregullore të vlej edhe për marketet të cilat gjinden në pompat e benzinës.
4. Drejtoria e Zhvillimit Ekonomik, të ketë kontakte me komunat fqinje dhe të shikoj se a e kanë edhe komunat fqinje në planin vjetor të punës hartimin e një rregulloreje të tillë, mbi fillimin dhe mbarimin e orarit të punës dhe pushimin në ditën e diel dhe gjatë festave zyrtare;
5. Të bëhet inspektimi më i shpeshtë nga ana e inspektorëve të punës në bashkëpunim me inspektorët komunal dhe të kontrollohet lista e punëtorëve dhe zbatimin e ligjit të punës Nr. 03/ L-212.
6. Plotësimet dhe ndryshimet në rregullore të përcillen me kujdes nga DZHE, për një periudhë 3 mujore, për të parë ndikimet negative në zvogëlimin e të punësuarve dhe ikjen e investitorëve në qytetet tjera të Kosovës
7. Të kufizohet puna e marketeve gjatë ditëve të javës prej orës 07:00 deri 22:00
8. Të harmonizohen veprimet me komunat fqinje (Novobërda, Parteshi, Kamenica, Vitia, Kllokoti, Ranillugu) që bizneset gjilanase të mos ndihen të diskriminuara në raport me bizneset e komunave tjera.
9. Të shikohet për një ligj të njëjtë për gjithë territorin e Kosovës mbi pushimin të dielave dhe ditëve të festave zyrtare.
10. Pjesët më të ndjeshme të zbatimit të kësaj rregulloreje, ku duhet të kenë një inspektim më të veçantë për momentin janë lokacionet përgjatë rrugëve:
Rruga Qarkore: Novobërdë – Gjilan
Rruga e Ferizajt: Livoç i Poshtëm (Gjilan) – Partesh
Rruga e Kamenicës: Dobërçan (Gjilan) – Petroc (Kamenicë)
Rrufa: Nasalë (Gjilan) – Viti
Para se të luajmë me ndjenjat e punëtorëve apo të shkaktojmë përçarje punëtor-punëdhënës, ne duhet të jemi të përgjegjshëm në paraqitjet tona, drejtuar mediave të shkruara apo televizioneve.
Nuk guxojmë të shkaktojmë polarizim të shoqërisë por të gjithë duhet të kontribuojmë drejt një zgjidhje të përbashkët, me punëtorët, bizneset dhe komunat fqinje.
Komuna së bashku me këshilltarët komunal, ishte promotorja e ndryshimit dhe plotësimit të kësaj rregulloreje, në të mirë të punëtorëve të sektorit privat dhe respektim të ligjit mbi punën.
Edhe kjo rregullore do të bëhet, si shumë të tjera në të mirë të qytetarëve. Iniciativa për të pushuar të dielën ka dalë nga Komuna e Gjilanit, kur të tjerët ishin spektatorë.
Burim Berisha
Kryesues i Komitetit për ZH.E.A