Nënkryetari i LDK-së, Lutfi Haziri ka folur për Gazeta Blic rreth raportimeve se ka nisur iniciativa për përjashtimin e Vjosa Osmanit nga partia.
“Nuk është e vërtetë. E keni shumë të sigurt. Është lajm i rremë”, ka theksuar Haziri për Gazeta Blic.
Edhe zyrtari tjetër i kësaj partie, Haki Rugova ka theksuar për TV Dukagjini se nuk ka iniciativë për përjashtimin e Vjosa Osmanit nga LDK.
“Nuk jemi marrë me këtë temë”, ka theksuar ai.
Ishte lideri i LDK-së, Isa Mustafa ai i cili ditë më parē kishte paralajmëruar “hakmarrje” ndaj zyrtarëve të LDK-së që votuan kundër Qeverisë Hoti.
Ndërkaq, vetë Osmani sot i ka reaguar Isa Mustafës.
Duke e komentuar një deklaratë të Isa Mustafës, i cili kishte paralajmëruar masa ndaj Osmanit nga organet e partisë, ajo tha se “edhe Isa Mustafa edhe secili politikan në Kosovë e di një gjë shumë mirë, unë nuk kam nevojë të koordinohem me askënd për qëndrimet që i mbajë”.
“Unë i kam qëndrimet e mia që burojnë nga puna ime me kolegë, me njerëz që vërtetë e dojnë LDK-në, që vërtetë e dojnë Kosovën në këto dy dekada, dhe këto qëndrime kanë qenë gjithnjë të njëjta”, tha ajo.
Ajo tha se as Isa Mustafa e askush tjetër nuk mund t’i tregojë asaj se çfarë qëndrime të mbajë për tema të caktuara politike.
Madje ajo ka thënë para gazetarëve e ka sfiduar Isa Mustafën, duke thënë që ai t’i tregoj se cilat qëndrime i ka ndërruar ajo nga ato që i ka thënë para zgjedhjeve të 6 tetorit.