Presidentja e vendit, Vjosa Osmani ka kundërshtuar dhe ka thënë se askush nuk duhet të pranojë që çështja e hapjes së Urës së Ibrit të diskutohet në Bruksel në kuadër të dialogut.
Shefja e shtetit tha se dialogu me Serbinë për Urën e Ibrit është kundërkushtetues dhe kundër sovranitetit dhe se Serbia nuk ka çka pyetet Serbia për një urë brenda territorit të Kosovës.
Osmani potencoi se dialog mbi çështjen e urës së Ibrit nuk duhet të pranojë askush.
“Sa i përket deklaratave të zëdhënësit të BE-së, deklaratat e tij janë mbi të gjitha raciste. Kështu që as nuk besoj që meritojnë më shumë vëmendje nga ana e ime. Unë jam deklaruar në raport me deklaratat e tyre raciste. Nuk ka asnjë arsye dhe kundërshtoj në çdo mënyrë diskutimin e hapjes së Urës së Ibrit në Bruksel. Nuk kemi çka e pyesim Serbinë, njësoj sikurse ky zëdhënësi më duket është nga Sllovakia që nuk e pyet asnjë nga fqinjët për urat në shtetin e tij. Pra nuk ka çka pyetet Serbia për një urë në Kosovë. Dialog për këtë çështje me Serbinë, nuk do të duhej të pranonte askush, do të ishte kundërkushtetues dhe kundër sovranitetit të shteti tonë”, tha Osmani pra mediave.
Deklarata e saj vjen një ditë pasi ndërmjetësi evropian në dialog, Miroslav Lajçak ka thënë se në takimin e ardhshëm në Bruksel, do të diskutohet se si do të zbatohet marrëveshja për hapjen e urës.
Lajçak ka thënë se pretendimet se Bashkimi Evropian është kundër hapjes së urës ose ka ndryshuar pozicionin për këtë çështje, janë çorientuese.
“BE-ja ka theksuar vazhdimisht se çështja e urës së Mitrovicës duhet të diskutohet në Dialogun e lehtësuar nga BE-ja. Pretendimet se BE-ja është kundër hapjes së urës ose ka ndryshuar pozicionin e saj janë çorientuese.
“Imponimi i një vendimi kundër vullnetit të qytetarëve të prekur nuk kontribuon në normalizimin e marrëdhënieve. Qeverisja e mirë kupton ndjeshmërinë e pakicës. Se si do të zbatohet marrëveshja për hapjen e urës do të diskutojmë në takimin e ardhshëm në Bruksel”, ka shkruar Lajçak.
Kryeministri i vendit, Albin Kurti, ka thënë gjatë kësaj jave se çështja e hapjes së Urës së Ibrit është çështje e Kosovës, e cila sipas tij, është përmbyllur për sa i përket Brukselit në vitet 2016-17, dhe siç tha ai, ura duhet të hapet.
“Çështja e Urës së Ibrit është çështje e Kosovës, është çështje e cila është përmbyllur sa i përket Brukselit në vitet 2016-2017 dhe ura duhet të hapet. Ne dëshirojmë edhe lëvizje të lirë të qytetarëve, edhe sundim të ligjit, edhe paqe dhe siguri. Nga pikëpamja jonë ajo çfarë duhet të presim është raporti për qëndrueshmërinë e urës”.
“Nuk është çështje diskutimi është çështje hapje. Në vitin 2016 janë përmbyllur te gjitha diskutimet dhe është thëne se ura duhet të hapet më 20 janar 2017. Tash nuk jemi as në janar as në 2017. Jemi në gusht 2024”, ka thënë Kurti.
Në anën tjetër, zëvendëskryeministri Besnik Bislimi, i cili është edhe kryenegociator i Kosovës në negociatat me Serbinë, ka thënë të mërkurën se BE-ja është duke kërcënuar me vendosjen e masave shtesë ndaj Kosovës po qe se zbatohet marrëveshja e ndërmjetësuar nga vetë ajo.
Bislimi ka shkruar se emisari i BE-së për dialogun Kosovë–Serbi, Miroslav Lajçak, gjatë vizitës së tij të fundit në Kosovë më 19 qershor, kur pati diskutuar për temën e urës mbi lumin Ibër, ka thënë që në rast se Kosova nuk preferon që kjo çështje të diskutohet në Bruksel, atëherë rekomandon që të bëhen bisedime të brendshme me serbët lokalë. Ai po ashtu ka thënë se një partner i QUINT-it e pati shtuar kërkesën që të ketë inspektime teknike.
E pas realizimit të dy kërkesave shtesë, Bislimi ka thënë se BE-ja tani po kërcënon me masa ndaj Kosovës nëse e hap urën për qarkullim të veturave.
Ideja për hapjen e urës ka ngjallur reagime të ashpra nga faktori ndërkombëtar, gjegjësisht nga partnerët ndërkombëtarë të Kosovës. SHBA, BE, Gjermania e shtetet tjera aleate të Kosovës kanë thënë se ura nuk duhet të hapet në këtë kohë.
Ambasadori i Shteteve të Bashkuara të Amerikës në Kosovë, Jeffrey Hovenier, ka deklaruar të martën se ekziston një rrezik real i lidhur me hapjen e urës në Mitrovicë në këtë kohë, që mund të ndikojë në sigurinë e ushtarëve të NATO-s, përfshirë ata amerikanë.
“Ne besojmë se ky rrezik rrit kërcënimin, mundësinë e dhunës dhe problemet e tjera, si për komunitetin lokal, ashtu edhe për ushtarët e NATO-s, përfshirë ushtarët amerikanë që po punojnë për të siguruar paqen dhe sigurinë në Kosovë. Ne e marrim shumë seriozisht çdo veprim që mund të ndikojë në sigurinë dhe mbrojtjen e ushtarëve amerikanë që punojnë për të mbështetur Kosovën”, ka thënë Hovenier në një intervistë për Radio Evropa e Lirë.
“Shpresa jonë është që Qeveria do ta dëgjojë këtë dhe do t’i marrë parasysh këto shqetësime”, shtoi ai.