Inspeksioni i ndërtimit në Gjilan, që funksion në kuadër të Drejtorisë së Urbanizmit, ka vazhduar me rrënime të objekteve, të cilat janë konstatuar se janë pa leje ndërtimi. Gjatë ditës, inspeksioni ka demoluar disa shtylla të mbindërtimit në objektin e banimit kolektiv në “Rrugën Qarkore”, sikurse që ka rrënuar objektin në rrugën Gjilan-Bujanoc, i destinuar për afarizëm.
Drejtori i Urbanizmit, Valon Shefkiu, i cili ka qenë i pranishëm në terren, ka thënë se pas rrënimit të këtyre objekteve, dy pronarët i janë drejtuar Drejtorisë përkatëse, duke bërë kërkesën për t’u pajisuar me leje.
Ai ka ritheksuar se Komuna e Gjilanit do të ketë zero tolerancë ndaj ndërtuesve ilegalë, derisa ka informuar se aksioni i rrënimit do të vazhdoj edhe në ditët ne vazhdim.
Shefkiu ka falënderuar Policinë e Kosovës për asistencën dhe mbështetjen e vazhdueshme.
Ndryshe, gjatë këtij viti, inspeksioni i ndërtimit në Gjilan ka rrënuar katër objekte ilegale.