Kryeministri i Republikës së Kosovës, Ramush Haradinaj, Ministri i Infrastrukturës Pal Lekaj, e të tjerë, realizuan vizitë inspektuese në punimet që janë duke u zhvilluar në projektin e Autoudhës Prishtinë – Gjilan – Dheu i Bardhë.
Kreu i Qeverisë, Haradinaj dhe i pari i MI-së, Lekaj, u njoftuan nga menaxherët e këtij projekti për së afërmi me progresin e arritur deri më tani. Projekti po zhvillohet sipas dinamikës së paraparë dhe sipas specifikave të projektit.
Gjatë këtyre inspektimeve u tha se punimet po realizohen sipas planeve dinamike të parapara me kontratë dhe që kjo autoudhë do të përfundojë në kohë rekorde. Kurse sa i përket Anamoravës kryeministri Ramush Haradinaj deklaroi që Gjilani dhe Anamorava asnjëherë nuk kanë qenë më të përkrahura.
Me rastin e qëndrimit në Gjilan, kryeministri Ramush Haradinaj dhe ministri Pal Lekaj, kanë qëndruar për ngushëllime në familjen Shala të viktimave të aksidentit të mbrëmshëm që ka ndodhur në rrugën Prishtinë-Gjilan.