Ministria e Industrisë, Ndërmarrësisë dhe Tregtisë (MINT) përmes Inspektoratit të Tregut ka vazhduar inspektimet e peshës së bukës, me qëllim të mbrojtjes së konsumatorit, për shkak të ankesave që kemi pranuar nga qytetarët e Kosovës.
Gjatë inspektimeve në subjekte dhe qytete të ndryshme të Republikës së Kosovës, inspektorët e tregut kanë hasur në parregullsi sa i përket mospërputhjes së peshës së bukës.
Verifikimet po ashtu janë bërë për mashtrimin lidhur me peshën e bukës dhe në disa produkte ka munguar vendosja e deklaracionit, prandaj në secilin rast janë marrë masa ndëshkuese në pajtim me ligjet në fuqi. Gjatë këtyre inspektimeve janë shqiptuar katër gjoba nga Inspektorati i Tregut.
Inspektorati i Tregut falënderon të gjithë konsumatorët që vazhdojnë të adresojnë ankesat e tyre në Departamentin për Mbrojtjen e Konsumatorit në MINT dhe siguron qytetarët se do të jetë aktiv në bashkëpunim me inspektorët e tregut në Komuna.
Inspektimet do të vazhdojnë dhe nëse konstatohen parregullsi do të ketë masa ndëshkuese konform ligjeve në fuqi.