Gjilani po përballet me një tjetër rast të papërgjegjshmërisë institucionale, ku një vendim i prerë për rrënimin e një ndërtimi të paligjshëm nuk po ekzekutohet.
Drejtoria e Inspeksionit ka lëshuar aktvendim për rrënimin e një muri të ndërtuar në lagjen Fidanishte 1 në kundërshtim me ligjin, por investitori vazhdon ta injorojë këtë urdhër. Si pasojë, Valon Salihu, një biznesmen lokal, po përballet me dëme të mëdha financiare, pasi nuk mund të shfrytëzojë lokalet e tij që prej një viti.
Salihu ka ngritur vazhdimisht ankesa në institucionet përgjegjëse, por asnjë veprim konkret nuk është marrë për ta detyruar investitorin që të respektojë ligjin. Për më tepër, ai është detyruar të paraqesë kallëzim penal në Prokurorinë Themelore të Gjilanit kundër drejtoreshës së Inspeksionit, Entela Hyseni, duke akuzuar institucionet për mosveprim dhe shmangie të përgjegjësisë.
Se inspektorët kanë dështuar në kryerjen e detyrës e pohon edhe udhëheqësi i Inspeksionit në Komunën e Gjilanit, Sali Kqiku. Ai ka deklaruar se fillimisht inspektorët dhanë vlerësim pa dalë fare në terren, ndërsa më pas, kur e inspektuan vendin, konstatuan se muri është ndërtuar në kundërshtim me ligjin.
Në anën tjetër, banorët e lagjes dhe biznesmeni i dëmtuar presin që institucionet të marrin masa për të ekzekutuar vendimin. Ndërsa mosveprimi vazhdon, mbetet e paqartë nëse ligji do të zbatohet apo do të mbetet peng i interesave dhe neglizhencës institucionale.
“Më herët, inspektorët e ndërtimit kanë kthyer përgjigje pa dalë në terren. Kur dolën, konstatuan se muri është i kundërligjshëm. Kam kërkuar nga drejtoresha e Inspeksionit të lëshojë aktvendimin për rrënim, ashtu siç ka vepruar në raste të tjera. Por ajo refuzoi, madje më tha që të mos i kërkoj më llogari për këtë çështje,” ka deklaruar Kqiku, duke potencuar se posedon emailat që e faktojnë këtë refuzim.
Pavarësisht vendimit për rrënim dhe shqetësimeve të ngritura, institucioni përgjegjës vazhdon të heshtë, duke shtuar dyshimet se ligji po zbatohet në mënyrë selektive.
Radio Star ka kërkuar sqarime nga drejtoresha Hyseni, por deri më tani nuk ka marrë asnjë përgjigje.