Si shkak i temperaturave të larta që po mbizotërojnë ditëve të fundit, e po ashtu edhe numrit të madh të pacientëve të cilët po kërkojnë shërbime emergjente në Emergjencë, Instituti Kombëtar i Shëndetit Publik ka rekomanduar të gjithë qytetarët që të kenë kujdes nga temperaturat e larta.
Në bazë të një njoftimi, thuhet se temperaturat e larta që mbretërojnë në sezonin veror ndikojnë negativisht në organizmin e njeriut, e sidomos te të moshuarit.
Duke u ekspozuar në diell për një kohë të gjatë mund të pësojmë goditje nga të nxehtit që çon në dehidratim të organizmit përcjellur me ngërçe, vjellje, çrregullime diarreike, skuqje dhe djegie të lëkurës duke komplikuar sistemin kardiovaskular deri në insufiçiencë renale”, thuhet në këtë njoftim.
Tutje renditen edhe disa nga masat rekomanduse mbrojtëse për shëndetin e personave të moshuar gjatë ekspozimit ndaj temperaturave të larta të ajrit mbi 30°C, posaçërisht për të moshuarit me sëmundje kardiovaskulare dhe sëmundje tjera kronike.
“1. Personat e moshuar assesi nuk duhet të ekspozohen në rrezet e diellit në intervalin kohor prej orës 10.00-17.00 , sidomos jo të moshuarit me sëmundje të zemrës ose ata me diabet; 2. Gjatë daljes nga shtëpia të moshuarit detyrimisht duhet ta mbrojnë kokën me kapelë ose shall; rrobat duhet të jenë të holla, komode, prej liri ose pambuku dhe me ngjyra të çelta; 3. Është e domosdoshme marrja e 2 litrave lëngje gjatë ditës, qoftë si 8 gota ujë ose në formë supe ose qaji; poashtu duhet anashkaluar ushqimin e fërguar, shumë të njelmët ose të ëmbël ose me mëlmesa të shumta, ndërsa duhet marrë shumë pemë dhe perime sezonale”, thuhet mes tjerash.
Sipas Institutit Kombëtar të Shëndetit Publik, përveç këshillave të marra nga mjeku për përdorimin e barnave, tek të moshuarit është e domosdoshme matja më e shpeshtë e tensionit.
Mes tjerash theksohet fakti se është i domosdoshëm aktiviteti fizik dhe psikik i të moshuarit, sidomos ecja e vazhdueshme në orët e para të mëngjesit ose në mbrëmje.