QËNDRIMI I INTELEKTUALËVE 1998
Ashtu si të gjitha tifozërive tjera, edhe ne kemi marrë ftesë me iu bashku marshit protestues për ish krerët e UÇK-së, me arsyetimin se kjo është kauzë kombëtare dhe se në raste të tilla duhet me qenë krejt bashkë.
Për këtë çështje po flasim qartë, pa rrotullime:
INTELEKTUALËT nuk marrin pjesë!
Jo pse pajtohemi me dënimet e as pse na ka ndryshu qëndrimi ndaj UÇK-së. Përkundrazi, qëndrimi jonë dihet shumë mirë. Për neve lufta e UÇK-së, sakrifica dhe historia e këtij vendi nuk kanë nevojë me u dëshmu çdo herë kur ka kamera e vëmendje publike!
Por, një send duhet me u kuptu:
Na jemi grupim Ultras.
Dhe për neve, kauzat, revolta, pakënaqësia dhe çdo mesazh që duam t’a përçojmë e kanë vetëm një vend ku marrin kuptim — TRIBINA.
Nuk mundemi me e harru këtë parim sot e me dalë krejt bashkë në një marsh vetëm pse aty ka ma shumë kamera e ma shumë vëmendje …
Madje lind pyetja: ku ishin këto mesazhe menjëherë pas vendimit? Ku ishte prezenca në tribina? Nëse disa prej grupeve që sot po thirren për bashkim kombëtar nuk kanë pasë paraqitje në ndeshjet e fundit pas vendimit, e tash organizohet një dalje e përbashkët pikërisht në një aktivitet me vëmendje të madhe publike, atëherë na e kemi të drejtën me e pa ndryshe këtë mënyrë të veprimit.
Na nuk kemi pritë me u organizu marsh për me e tregu qëndrimin tonë.
Mesazhet tona i kemi çu aty ku jemi gjithmonë: në stadium, në tribina, përmes parullave dhe prezencës sonë.
Sepse nëse një grupim e ka zërin vetëm atëherë kur ka kamera, atëherë çka po e dallon atë prej një organizimi të zakonshëm publik?
INTELEKTUALËT nuk funksionojnë kështu.
Nuk dalim për sy e faqe.
Nuk dalim për numër.
Nuk dalim veç pse dikush tjetër po del.
Dhe mbi të gjitha, nuk i ndryshojmë parimet tona sipas vendit ku ka ma shumë vëmendje.
Kauzat tona i kemi shprehë dhe do t’i shprehim aty ku e kemi vendin tonë, në stadium, në tribina!
Kush don me protestu, le të protestojë. Kush don me marrë pjesë në marsh, le të marrë pjesë. Nuk është puna jonë me ia ndalu askujt të drejtën me e shprehë qëndrimin e vet.
Por, edhe ne e kemi të drejtën me thanë:
INTELEKTUALËT kanë rrugën e vet.
Kanë mënyrën e vet.
Kanë parimet e veta.
Dhe këto parime nuk ndryshohen sa herë që një kauzë bëhet temë e ditës.
Historia e UÇK-së nuk është pronë e asnjë grupi, partie apo organizimi. Ajo është pjesë e historisë së Kosovës dhe qëndrimi jonë ndaj saj është i qartë.
Prandaj këtë herë nuk na gjeni në marsh.
Na gjeni aty ku kemi qenë gjithmonë.
NË TRIBINË.
Fotoja poshtë është saktësisht 1 javë më parë, të Dielën e kaluar në Klinë, ku ne veçse reaguam me kundërshtim ndaj vendimit të padrejtë nga pseudogjykata për komandantat tanë. Fundjavën e kaluar ishte rasti ideal që secila tifozëri të reagonte me mesazhe në tribina kundër këtij vendimi. Por, siç duket shumica kanë përzgjedhur sfilatat në sheshe …
INTELEKTUALËT 1998 ~ GJITHMONË ULTRAS, GJITHMONË NË MËNYRËN TONË!
INTELEKTUALËT 1998










