Drita e Gjilanit përveç që njihet si një nga klubet më të suksesshme të futbollit kosovar, ajo në opinion njihet si një klub që ka pas vetes një tifozeri të madhe.
“Bardhekaltrit” këtë vit mund të përmbyllin edicionin me trofe, veçse duhet ta mposhtin Llapin në finalen e Kupës së Kosovës, raporton Demokracia.com.
Tifogrupi i Dritës, “Intelektualët” sigurisht se do të jenë në numër të madh të pranishëm për ta përkrahur skuadrën e tyre në stadiumin “Fadil Vokrri” në Prishtinë.
Demokracia.com mëson nga burime të saj se “Intelektualët” kanë siguruar tashmë 13 autobusë, ndërsa janë duke e bërë të pamundurën që numri i autobusëve që do të bartin tifozët e shumtë të Dritës drejt kryeqytetit të jetë 20.
“Kemi siguruar 13 autobusë për të enjten. Jemi duke tentuar dhe jemi afër të sigurojmë edhe shtatë të tjerë për shkak të interesimit të lart nga tifozët tanë”, ka thënë për Demokracia.com një burim nga tifogrupi gjilanas.
Interesimi për këtë sfidë në Gjilan ka nisur që nga koha kur Drita siguroi “biletën” për në finalen e Kupës së Kosovës.
Përballë me “Intelektualët” në tribuna do të jenë edhe “Legjendat” e Llapit që gjithashtu kanë paralajmëruar udhëtim.
Sa i përket trofeut të Kupës, Dritës i mungon për rreth dy dekada. Hera e fundit kur Drita triumfoi në këtë kompeticion ishte edicioni i largët 2000/01.
Drita dhe Llapi luajnë të enjten e 26 majit në stadiumin “Fadil Vokrri” me fillim nga ora 20:00.