Rregullorja për transparencë në komunën e Gjilanit i është nënshtruar sot një dëgjimi publik, para se të dërgohet për miratim në Kuvend, me qëllim që të merren edhe opinionet e qytetarëve, por interesimi i tyre për të marrë pjesë në këtë proces, ka qenë shumë i vogël.
Tringa Ahmeti nga Zyra Ligjore dhe Sadri Arifi nga Shërbimi i Kuvendit, kanë thënë se njoftimi për dëgjim publik është bërë me kohë dhe në mënyrën siç parashihet, por interesimi i publikut, si zakonisht është i vogël, me gjithë faktin se kjo është një mundësi e mirë për t`i shprehur mendimet e tyre për një rregullore të tillë.
Përndryshe, Arifi ka thënë se ky akt rregullon pjesëmarrjen e publikut në mbledhjet e Kuvendit të Komunës dhe komiteteve të tij, takimet dhe konsultimet me publikun, para miratimit të akteve të Komunës, pjesëmarrjen e publikut në vendimmarrje, qasjen në dokumentet publike të Komunës si dhe procedura të tjera.
“Shpresoj se kemi arritur të bëjmë një akt që do të kontribuoj në rritjen e transparencës komunale si dhe përfshirjes së qytetarëve në vendimmarrje”, ka thënë Arifi.
Tringa Ahmeti nga Zyra Ligjore ka sqaruar se nuk ka ndryshime esenciale nga rregullorja ekzistuese, pos që është bërë një harmonizim i rregullores me Udhëzimin Administrativ.
Shemsedin Elezi, këshilltar komunal (LDK) u shpreh i zhgënjyer me mosinteresimin e qytetarëve si dhe përfaqësuesve të tyre në asamblenë komunale, për të marrë pjesë në dëgjim publik, ndërsa në anën tjetër ankohen dhe kritikojnë për gjithçka.
Avdyl Aliu, po ashtu këshilltar komunal (LDK) tha se mungesa e publikut nëpër dëgjime publike, është tregues se qytetarët kanë besim tek ne dhe në punët që ne bëjmë.
Përndryshe, ai tha se interesim të vogël të qytetarëve për këto tubime, ka parë edhe te dëgjimet publike për buxhet, që janë organizuar nëpër lokalitete.