Inspektorati Policor i Kosovës respektivisht Departamenti i Hetimeve ditë më herët kishte pranuar një informacion sipas të cilit dyshohej se një zyrtar policor i (i Njësisë Rajonale të komunikacionit rrugor në Gjilan) kishte kryer veprën penale “sulm seksual”.
Në koordinim me Prokurorinë Themelore në Gjilan hetuesit e IPK-së kanë filluar procedurën hetimore që ka përfshirë edhe autorizimin e përdorimit të masave të fshehta të hetimit.
Si rezultat i veprimeve hetimore janë siguruar dëshmi në bazë të të cilave dyshohet se zyrtari policor ka kryer veprën penale të “sulmit seksual” dhe i njëjti dyshohet se ka pasur marrëdhënie seksuale me viktimën e këtij rasti (një e mitur).
Bazuar në këto dyshime, sot në orët e pasdites është arrestuar zyrtari policor (i cili ishte jashtë detyrës zyrtare) dhe me vendim të prokurorit kompetent të njëjtit i është caktuar masa e ndalimit për 48 orë.
Përveç arrestimit, si pjesë e procedurës administrative i dyshuari (zyrtari policor) është suspenduar deri në përfundim të hetimit.
Hetuesit e IPK-së pritet të ndërmarrin edhe veprime të tjera hetimore lidhur me këtë rast në konsultim të vazhdueshëm me prokurorin përgjegjës të prokurorisë Themelore në Gjilan.