Gazmend Hyseni mbeti i vdekur të shtunën pasmesnate në Ferizaj pasi dyshohet se u gjuajt me armë zjarri nga Qëndrim Januzi.
Megjithatë, për të zmbrapsur rrezikun dhe kap personin e dyshuar për vrasje të rëndë, zyrtari policor me rroba civile kishte intervenuar dhe shtënë në drejtim të tij një herë, duke e goditur në nofull, goditje kjo që e pasivizoi menjëherë të dyshuarin.
Zyrtari policor fillimisht u vlerësua që të suspendohet për 72 orë, por Inspektorati Policor i Kosovës pas verifikimit të pamjeve filmike, vendosi që mos ta rekomandojë vazhdimin e suspendimit.
“Fillimisht ishte vlerësuar nga hetuesi që zyrtari policor të suspendohet për 72 orë, deri në sqarimin e rrethanave të rastit. Por, pas verifikimit të pamjeve filmike, IPK ka vendosur që mos të rekomandojë vazhdimin e suspendimit, ndërkaq rasti do të hetohet në procedurë të rregullt, sipas autorizimeve të Prokurorisë”, tha zëdhënësi i IPK-së, Arbër Beka për Paparacin.
Për krejt këtë ngjarje, hetuesit e Inspektoratit Policor të Kosovës kanë dalë në vendin e ngjarjes. Të njëjtit kanë morën disa veprime hetimore duke përfshirë këtu edhe identifikimin e disa kamerave të sigurisë që kanë mundur të mbulojnë me pamje vendin ku ka ndodhur incidenti.
Po ashtu, IPK-ja thotë se hetuesit e këtij institucioni do të ndërmarrin veprime të tjera për ta vërtetuar nëse janë plotësuar kushtet ligjore për përdorimin e armës zyrtare nga ana e policit.
“Më 28 maj 2022 pas mesnatës, hetuesit e IPK-së janë njoftuar për rastin në fjalë ku sipas informatave fillestare në Ferizaj një zyrtar policor kishte përdor armën e tij zyrtare duke gjuajtur në drejtim të një personi që dyshohet të ketë qenë i armatosur dhe i cili dyshohet për vrasje që kishte ndodhur pak më herët në lokacionin e njëjtë”, thuhet në një përgjigje nga IPK-ja.
“Me të pranuar informacionin hetuesit e IPK-së janë dalë në vendin e ngjarjes ku në koordinim me ekipet tjera reaguese policore dhe Kryeprokurorin e Prokurorisë në Ferizaj kanë ndërmarrë disa veprime hetimore duke përfshirë këtu përveç tjerave edhe identifikimin e disa kamerave të sigurisë të cilat kanë mundur të mbulojnë me pamje vendin ku ka ndodhur incidenti”.
Inspektorati Policor thotë se do ta mbajë të informuar opinionin e gjerë lidhur me të gjeturat dhe rezultatet e hetimit në koordinim të plotë me Prokurorinë e Shtetit.
“Hetuesit e IPK-së pritet të ndërmarrin edhe veprime tjera hetimore në koordinim me prokurorin kompetent duke përshirë edhe rezultatet e ekzaminimeve të ndryshme forensike, mjeko ligjore, balistike etj. për të vërtetuar se a janë plotësuar kushtet ligjore për përdorimin e armës zyrtare dhe për të ndriçuar të gjitha rrethanat lidhur me rastin”, thuhet në përgjigjen e IPK-së për mediumin online Paparaci.
Ngjarja e rëndë ndodhi mbrëmjen e së shtunës në rrugën ‘Rexhep Bislimi’ në qytetin e Ferizajt.
Rasti sipas Prokurorisë Themelore në Ferizaj dyshohet se ka ndodhur pasi viktima Gazmend Hyseni, i njohur në qytet si “Strella”, ia kishte djegur rreth dy muaj më parë veturën e tipit “Mercedes”, Betim Januzit, vëllait të Qëndrim Januzit.
“Pas një mosmarrëveshje të mëhershme lidhur me një veturë të vëllait të tij për të cilën i pandehuri ka pretenduar se i është djegur nga ana e tani të ndjerit, me ta takuar të ndjerin shtënë në drejtim të tij me armë zjarri shtatë herë, me ç’rast si pasojë e të shtënave, nga plagët e marra ndërron jetë”, shkruan në dosjen e Prokurorisë së Ferizajt.