IPK publikon hulumtimin e monitorimit të nivelit të besueshmërisë dhe kënaqshmërisë së publikut në Policinë e Kosovës
Inspektorati Policor i Kosovës respektivisht Departamenti i Inspektimeve ka realizuar një hulumtim për të monitoruar nivelin e besueshmërisë dhe kënaqshmërisë së publikut në Policinë dhe shërbimet e saj.
Në bazë të Ligjit nr. 03/L-231, IPK-ja ka mandat ligjor që të kryejë inspektime në Polici, për të vlerësuar mënyrën e kryerjes së detyrave policore. Ky aktivitet ndihmon dhe mbështetë Policinë për të siguruar një shërbim profesional, demokratik dhe të përgjegjshëm. Plani Vjetor i Inspektimeve të Rregullta i Departamentit të Inspektimit të IPK-së (2021) ka përfshirë kryerjen e një hulumtimi për të monitoruar nivelin e besueshmërisë dhe kënaqshmërisë së publikut në Policinë dhe shërbimet e saj. Në këtë drejtim, është vlerësuar kyç roli i IPK-së për të realizuar hulumtim të pavarur në matjen e perceptimit publik për punën policore.
Policia e Kosovës zbaton konceptin e Policimit në Bashkësi, duke synuar në veprime pro-aktive, krahasuar me konceptin e kaluar që kishte prioritet veprimet reaktive në luftimin e dukurive negative. Mes tjerash, Strategjia e Policimit në Bashkësi parasheh edhe monitorimin e besueshmërisë dhe kënaqshmërisë së publikut me Policinë e që është realizuar përmes këtij hulumtimi.
Hulumtimi është realizuar me anketë, përmes të cilës janë mbledhur të dhëna sistematike mbi fushat me interes. IPK ka nxjerrë perceptime të opinionit mbi fushat, si: policimi në bashkësi, përdorimi i forcës, trajtimi i qytetarëve, bashkëpunimi i ndërsjellë, shqetësimet mbi krimin, metodat e policimit, besueshmërinë, kënaqshmërinë, etj.
Hulumtimi është realizuar në të gjitha komunat dhe mostra e paracaktuar ka përfshirë një numër të anketuarve prej 1.782 qytetarëve. Mostra ka qenë proporcionale dhe është përdorur për secilën komunë, duke u bazuar në numrin e banorëve sipas komunave. Pyetësorët janë plotësuar në të gjitha qytetet dhe një numër të konsideruar fshatrash.
Lidhur me rezultatin e hulumtimit, të gjithë të interesuarit mund të kenë qasje në Raportin e plotë të monitorimit, i cili është i publikuar në faqen zyrtare të IPK-së (shih linkun si në vijim)
https://ipk.rks-gov.net/ëp-content/uploads/2021/05/MONITORIMI-I-BESUESHM%C3%8BRIS%C3%8B-DHE-K%C3%8BNAQSHM%C3%8BRIS%C3%8B-S%C3%8B-PUBLIKUT-ME-POLICIN%C3%8B-E-KOSOV%C3%8BS.pdf