Ditë më parë Komuna e Gjilanit mbajti dëgjimin buxhetor në Llashticë e Zhegër, nga ku, përmes zyrës së informimit të Komunës u njoftua mbi këtë takim si dhe për deklaratat e përfaqësuesve të Komunës së Gjilanit, pjesëmarrës në atë takim, e veçmas me ato që kishin të bënin me investimet e deritanishme dhe realizimin e kërkesave të deritanishme të qytetarëve të kësaj ane.
Shih shkrimin: Komuna e Gjilanit mban dëgjim buxhetor në Llashticë e Zhegër
Me vlerësime të tilla jo të gjithë janë pajtuar pasi deklarimet e tilla, sidomos ato kur thuhet se kërkesat e qytetarëve nga dëgjimet e kaluara janë realizuar nga qeverisja Haziri, kanë ngjallur reagimin e Iniciativës Qytetare të Zhegrës (IQZH), sipas të cilës Iniciativë, deklarimet e tilla nuk përputhen askund me realitetin pasi investimet me rëndësi të veçantë (prioritet), janë anashkaluar krejtësisht në Zhegër.
IQZH ka rikujtuar deklaratën e dhënë në këtë rast të Avdyl Aliu, shef i Grupit të Këshilltarëve të LDK-së, që në emër të Komitetit për Politikë dhe Financa ka thënë se që nga viti 2014 Komuna e Gjilanit për herë të parë ka përgatitur buxhetin vjetor me inkorporimin e kërkesave të fshatrave, duke inkorporuar projektet prioritare për investime publike.
“Komuna e Gjilanit që nga viti 2014 organizon dëgjime buxhetore në lokalitete të ndryshme dhe kërkesat e qytetarëve janë inkorporuar gjithmonë në buxhetin vjetor, në kuadër të mundësive financiare që ka Komuna. Na vjen shumë mirë që numri i kërkesave të qytetarëve të cilat, ishin nëpër dëgjimet buxhetore të viteve të kaluara, tashmë nuk janë meqë Komuna e udhëhequr nga Lutfi Haziri, në bazë të programit të tij dhe në bazë të vlerësimit të tij për një jetë më të mirë për qytetarët, ka realizuar shumicën prej tyre. Kërkesat e qytetarëve gjithmonë do të trajtohen me përkushtim dhe në bazë të prioriteteve”, ka thënë Aliu.
Për më tepër shih shkrimin: Komuna e Gjilanit mban dëgjim buxhetor në Llashticë e Zhegër
Por, në reagim e saj IQZH-ja vlerëson se deklarata e Aliut, nuk përputhen askund me realitetin. Investimet me rëndësi të veçantë (prioritet), janë anashkaluar krejtësisht në Zhegër dhe as që përmenden.
“Si duket edhe Kryetari i Bashkësisë së fshatit është mashtrua nga premtimet e dikujt dhe ndërmerr aksione pa projekte paraprake duke i lënë të papërfunduara për të cilat ka pasur edhe reagime nga qytetarët”, thuhet në reagim, për të shtuar se ndoshta Aliu në vend të asaj deklarate, është dashtë të kërkojë ndjesë për vonesa në realizimin e premtimeve, që kanë humbur rrugë, e që kur nuk kanë mbërri në Zhegër.
IQZH vlerëson se deklarimet e tilla si të Aliut, mashtrojnë opinionin e vendbanimeve tjera, ndërsa për ecurinë e disa projekteve ka vend edhe për drejtësinë me u marr me to
Përndryshe në vazhdim të reagimit të IQZH thuhet edhe:
Pjesëmarrësit e takimit “Dëgjim Buxhetor” Zhegër
Ne ju ftojmë të konsultoni Kërkesën e IQZH-së që do e gjeni në Drejtorinë e Shërbimeve Publike, dhe do të bindeni se kërkesat tona shkojnë në interes të gjithë banorëve të Zhegrës dhe rrethinës e jo për disa mëhallë aty këtu.
Në ftesën publike të Kryetarit të Komunës, z. Lutfi Hazirit, pas mbledhjes së Bordit të Drejtorëve të 17 Janarit 2017, Iniciativa Qytetare e Zhegrës (IQZH), i përsërit disa nga kërkesat (10) për investime me rëndësi të veçantë për banorët e Zhegrës dhe vendbanimeve përreth. Më 23 Janar 2017 i dërgohet kërkesa Drejtorisë së Shërbimeve Publike, z. Naser Korça dhe nga një kopje Z. Lutfi Haziri, Kryetar i Komunës, Z. Habib Mahmuti, Menaxher i zyrës se projekteve, Z. Shemsedin Elezi, Kryetar i Bashkësisë Lokale, Zhegër dhe gazetarëve.
Drejtoria e Shërbimeve Publike, (supozojmë) nuk ju ka informua (juve zyrtarëve komunal të pranishëm në dëgjim) se nuk po arrijnë t’i qojnë punët deri në fund, ndoshta do ishte më mirë që ju si grup t’i ndihmoni që punëmarrësit nga kjo zyre t’i kryejnë punët me kohë ose me një vonesë deri diku të kuptueshëm, por jo edhe ti lejnë të pakryera ose ende pa e krye punën duhet intervenuar me riparime, ndonëse edhe ato pak punime që bëhen nuk mbikëqyren ose në stilin “hajt se nuk ka gajle” Zhegra donë të bëhet Komunë.
Në fund të reagimit IQZH ka dërguar edhe disa foto që, sipas saj, duket se nuk iu kanë bërë përshtypje, zyrtarëve komunal në atë dëgjim buxhetor, për t’u diskutuar ato.