“Rasti është mbret i botës”, kështu shprehet Lutfi Haziri lidhur me takimin që zyrtari i Lëvizjës Vetëvendosje, Ismajl Kurteshi, ka zhvilluar me ish-nënkryetarin e Gjilanit nga komuniteti serb, Bozhidar Periq.
Lëvizja Vetëvendosje dhe Lidhja Demokratike e Kosovës janë përballë njëra-tjetres në rundin e dytë të zgjedhjeve në Gjilan. Në tentim të mbledhjes së forcave për të dalë fitues, kanë nisur negociatat për koalicione me subjektet që s’janë në garë. Dje është raportuar se Kurteshi është takuar me ish-nënkryetarin e Gjilanit nga komuniteti serb, Bozhidar Periq.
Lidhur me këtë takim, kryetari i Gjilanit, Lutfi Haziri në një përgjigje me shkrim për Express tha se “rasti është mbret i botës”.
Ndërkaq zyrtari i lartë i LVV-së, Ismail Kurteshi, njëherë e ka mohuar takimin, e pastaj e ka konfirmuar, duke thënë se ishte takim i rastit.
Lidhur me votat e komunitetit serb në komunën e Gjilanit, ka pasur përplasje mes zëvendëskryeministrit Besnik Bislimi dhe nënkryetarit të LDK-së, Lutfi Haziri.