Kreu i LDK’së Isa Mustafa, e ka quajtur degradim të shtetësisë së Kosovës, ekipin e dialogut, transmeton Gazeta Metro.
Mustafa përmes një postimi në facebook ka thënë se, ky ekip është kthim prapa, prapa vitit të shpalljes së pavarësisë, në kohën e UNMIK’ut, kur Kosova nuk kishte institucionet e veta me legjitimitet të plotë,’ pra mu atje ku e dëshiron Serbia dhe ata që e kontestojnë shtetësinë e Kosovës’.
“Ligji për dialogun është dokument i turpit dhe shantazhimit të këtij koalicioni nga një parti e vogël në Kuvend që po ua siguron mbijetesën në kapje dhe zhvatje të shtetit.Platforma e dialogut nuk ofron asgjë tjetër veç pritje të rrejshme në opinion. As Ligji e as Platforma nuk e sanksionojnë përgjegjësinë e zyrtarëve shtetëror që lobojnë dhe pajtohen me shkeljen e Deklaratës së Pavarësisë, përkatësisht shtetësisë së shpallur më 17 shkurt 2008”, ka thënë Mustafa.
Tutje, Mustafa ka thënë se absurdi qëndron në faktin se Platforma e hartuar nga një grup që nuk përfaqëson shumicën në Kuvend, synohet të aprovohet me shumicë të thjeshtë, kurse Marrëveshja kërkon të ratifikohet me 2/3 e votave të deputetëve në Kuvend.
“Askush nuk guxon ta bjerë Kuvendin para aktit të kryer! As Presidenti, as Kryeministri e as askush!Dialogu duhet të zhvillohet nga një qeveri legjitime dhe me një Platformë e cila duhet të jetë produkt i një pajtimi të gjerë dhe të aprovohet me 2/3 në Kuvend ashtu si edhe Marrëveshja”, ka shtuar Mustafa.
I pari i LDK’së ka paralajmëruar inicimin e ndryshimit të Kodit Penal, duke shtuar se duhet të sanksionohet vepra penale për çdo zyrtar i cili e vë në pikëpyetje Deklaratën e Pavarësisë, Kushtetutën dhe shtetësinë e Kosovës.
“Kjo nuk bëhet me Platformë dhe Ligj që nuk e mbrojnë Kosovën por i mbrojnë ata që dialogojnë”, ka përfunduar Mustafa.
Kujtojmë se, kryministri Ramush Haradinaj për nesër në orën 09:00, ka kërkuara nga Kryesia e Kuvendit që të ftojë seancë të jashtëzakonshme për miratimin e Ligjit dhe Platformës së Dialogut./