Pak orë pasi Ramush Haradinaj drejtoi akuza ndaj Hashim Thaçit, Kadri Veselit, Fatmir Limajt e Isa Mustafës, se u dorëzuan përballë Serbisë, duke pranuar që të hiqet taksa për të vazhduar dialogu, ka ardhur reagimi i kreut të LDK’së.
Mustafa e ka shpotitur Haradinajn duke i thënë se taksa është vendosur me direktiva të Veselit ndërkohë që ka thënë se fakti që Haradinaj e ka radhitur atë me krerët e koalicionit i përngjanë një fushate.
Më poshtë mund ta lexoni të plotë postimin e Mustafës.
Deklarata e sotme e Kryeministrit Haradinaj me të cilën mua dhe LDK-në i fut ne nje kazan me z. Thaçin, z. Veselin e tjerë dhe në korelacion me Serbinë, është jokorrekte, e pasaktë dhe përngjan në fushatë.
Edhe po deshi Kryeministri Haradinaj, nuk behem bashk me Thaçin dhe Veselin. Nuk bëhem bashk as me z. Haradinaj me mënyrën e të qeverisurit të tij!
Qendrimet e LDK-së janë të qarta, nuk pranojmë dialog për kufijtë, për territorin dhe për shtetësinë e shpallur më 17 shkurt 2008.
Taksën e ka sjellë Qeveria me direktiva të z. Veseli: ju e keni bërë, ju vendosni çfarë të bëni me te. Ju jeni koalicioni qeverisës, LDK është opozita juaj. Jeni në pushtet dhe mos e luani rolin e viktimës.
LDK do të kultivojë miqësi të përhershme me SHBA-të. Për këtë nuk e pyesim askënd.