Ish-kryetari i LDK-së, Isa Mustafa ka reaguar pas kërcënimit që u tha se u bë mbrëmë ndaj kryeministrit Albin Kurti.
Mustafa përmes një postimi në Facebook shprehu keqardhje për këtë gjë dhe shtoi se kjo ia kujtoi kohën kur njerëzit e Kurtit e sulmuan shtëpinë e tij me bomba molotovi.
“Kur arrita në shtëpi e pyeta shoqen time se si u ndjeve, a pate frikë, a të mbrojti policia. Ajo ma ktheu: po çfarë!! Policët mezi e shpëtuan kryet e tyre, sepse e kapi flaka dhe tymi korridorin ku ata ishin të vendosur”, ka shkruar Mustafa.
Postimi i plotë:
Miq të nderuar,
Mbrëmë u njoftuam se Njësia Speciale e Policisë së Kosovës e ka rrethuar shtëpinë e Kryeministrit Kurti, pas një kërcënimi që i ishte bërë.
Më erdhi keq!
Më vonë u tha se ishte një kërcënim nga adresa Shit e Blej!
Kjo ma kujtoi kohën kur, jo adresa shit e blej, por njerëzit e Albin Kurtit, Kryeministrit të tanishëm, në terrin e datës 26 shkurt 2016 sulmuan shtëpinë time, që isha Kryeministër i Kosovës, me bomba molotov.
Kur arrita në shtëpi e pyeta shoqen time se si u ndjeve, a pate frikë, a të mbrojti policia. Ajo ma ktheu: po çfarë!! Policët mezi e shpëtuan kryet e tyre, sepse e kapi flaka dhe tymi korridorin ku ata ishin të vendosur.
Nuk kishte njësi speciale as mbrojtje speciale.
Fati gruaja mbeti gjallë dhe policët që kujdeseshin për shtëpinë time nuk ishin lënduar.
Kujtime të rënda!