Kryetari i LDK-së, Isa Mustafa, ka pritur dje për vizitë përfaqësuesit e Kosovës Lindore, përcjell “Bota sot”.
Mustafa këtë e ka bërë të ditur përmes një postimi në llogarinë e tij në Facebook. Ai thotë se, përfaqësuesit e Kosovës Lindore u interesuan për gjendje e rehabilitimit shëndetësor të tij, si dhe për proceset aktuale, sidomos për pikëpamjet e LDK-së për dialogun ndërmjet Kosovës dhe Serbisë.
Kryetari i LDK-së nga ky takim i ka njoftuar se LDK konsideron se korrigjimi i kufijve, në situatën kur Serbia nuk i njeh kufijtë aktual të Kosovës dhe hapja e çështjeve të integritetit territorial, jo vetëm që janë në kundërshtim me Kushtetutën e Kosovës dhe Deklaratën e shpalljes së Pavarësisë por rrezikojnë që të vejmë në tryezë shtetësinë e Kosovës.
Ja postimi i plotë i Isa Mustafës:
Kisha nderin që , së bashku me z. Lutfi Haziri, ti pres në shtëpinë time në vizitë përfaqësuesit e Luginës së Preshevës, z. Shaip Kamberi, znj. Ardita Sinani dhe deputetin Fatmir Hasani. U interesuan për gjendje e rehabilitimit tim shëndetësor si dhe për proceset aktuale sidomos për pikëpamjet e LDK-së për dialogun ndërmjet Kosovës dhe Serbisë.
Përfaqësuesit e Luginës së Preshevës më njoftuan për përkeqësimin e vazhdueshëm të pozitës së shqiptarëve atje, për shpopullimin dhe shpërnguljen e madhe të tyre dhe interesin për ardhmërinë e kësaj Lugine në perspektivën e marrëveshjes përfundimtare Kosovë Serbi. Duke shfaqë brengën time dhe të LDK-së për gjendjen aktuale por edhe interesimin e përhershëm të LDK-së për shqiptarët në Luginën e Preshevës, i njoftova se LDK konsideron se korrigjimi i kufijve, në situatën kur Serbia nuk i njeh kufijtë aktual të Kosovës dhe hapja e çështjeve të integritetit territorial, jo vetëm që janë në kundërshtim me Kushtetutën e Kosovës dhe Deklaratën e shpalljes së Pavarësisë por rrezikojnë që të vejmë në tryezë shtetësinë e Kosovës. Se për dialog me Serbinë duhet të kemi një proces të përgatitur, të diskutuar ndërmjet veti, të matur mirë, gjithëpërfshirës si dhe përfaqësim me legjitimitet politik e kushtetues. Ndërkaq Lidhja Demokratike e Kosovës do të mbetet e përkushtuar për shqiptarët e Luginës së Preshevës dhe do të intensifikoj komunikimin me ta në të gjitha fazat.