Ish-kryeministri dhe ish-kryetari i LDK-së, Isa Mustafa, ka sqaruar deklaratën e qeverisë lidhur me rritjen ekonomike në vend, si dhe vlerësimin e FMN-së po për këtë çështje.
Përmes rrjetit social Facebook, ish-kryeministri Isa Mustafa, teksa përmendi vlerësimet e FMN-së dhe Bankës Botërore, për një rritje ekonomike, ka shkruar se vitin që e lamë pas, Kosova shënoi rritje ekonomike prej 9.5% (sipas Fondit Monetar Ndërkombëtar) përkatësisht 9.1 % (sipas Bankës Botërore), ai theksoi se kjo rritje erdhi si rezultat i rritjes së prodhimit, fuqizimit të konsumit dhe rritjes së eksportit, pasi që në vitin 2020, si pasojë e pandemisë kishin stagnuar të gjitha aktivitetet ekonomike dhe përfunduam me rritje negative ekonomike prej -5.5%.
“Në këtë aspekt krahasimet me vitin 2020 janë të natyrës formale, prandaj edhe nuk janë tregues i qëndrueshëm”, vuri në dukje ish-kryeministri Isa Mustafa.
Tutje, ai, duke u bazuar në të dhënat e FMN-së ka krahasuar ekonomitë e vendeve në rajon dhe më gjerë, ku nga tregjet dhe ekonomitë në zhvillim në Evropë vitin e kaluar, Mali i Zi kishte rritjen më të madhe ekonomike prej 13% (sipas FMN-së) përkatësisht 12.4% (sipas BB) pasuar nga Kroacia prej 10.2%. Por sikurse Mali i Zi ashtu edhe Kroacia kishin pësuar rënie të madhe ekonomike në kohë të pandemisë (2020).
Ndërkaq për këtë vit, Mustafa parasheh të jetë sfidues për Kosovën, derisa shpalosi shkaqet, të cilat janë të shumta, inflacioni i lartë, bilanci i pavolitshëm tregtar, rënia e investimeve publike dhe atyre private, rënia e konsumit për shkak të rritjes së çmimeve duke mbajtur pagat e pandryshuara në sektorin publik dhe ndikimi indirekt nga lufta në Ukrainë.