Ish-komandanti i UÇPMB-së, Sami Azemi, ka bërë thirrje për unifikim të politikës shqiptare në Luginën e Preshevës, duke vënë theksin te rëndësia e bashkëpunimit dhe mbrojtjes së të drejtave të shqiptarëve në Kosovën Lindore.
Në një reagim të tij, Azemi ka rikujtuar edhe mbështetjen e ish-kongresmenit amerikan Joseph DioGuardi dhe Shirley Cloyes DioGuardi gjatë periudhës së luftës së UÇPMB-së.
Sipas tij, gjatë luftës, DioGuardi dhe Cloyes vizituan Shtabin e Përgjithshëm të UÇPMB-së në fshatin Konçul, ku shprehën mbështetje për popullatën shqiptare në Kosovën Lindore dhe për të drejtat e saj.
Azemi e ka vlerësuar lart kontributin e tyre, duke e cilësuar marrjen e shtetësisë së Republikës së Kosovës nga Joseph DioGuardi dhe Shirley Cloyes DioGuardi si një moment të veçantë dhe shenjë mirënjohjeje për përkrahjen e tyre ndër vite.
“Është nder dhe kënaqësi që sot ju mirëpresim si qytetarë të Republikës së Kosovës”, ka shkruar Azemi, duke falënderuar DioGuardin dhe Cloyes për guximin, përkushtimin dhe mbështetjen ndaj shqiptarëve në periudhat më të vështira./Radio Star/

