Ish-ministri i Punëve të Jashtme, Enver Hoxhaj, vizitën e kancelarit gjerman, Olaf Scholz, e ka quajtur historike në dimensionin politik evropian, por edhe në atë të Ballkanit.
Porositë që gjermani Scholz i solli në Prishtinë, sipas Hoxhajt, ishin të duhura pas luftës në Ukrainë, pasi thotë se shtetet do ta përdorin këtë situatë për të arritur qëllimet që i kanë.
Enver Hoxhaj këto deklarata i ka bërë në emisionin “News Talk” me Dafina Latën në Klan Kosova FM.
Duke komentuar deklaratën e kancelarit gjerman që “Serbia duhet ta njohë pavarësinë e Kosovës”, ish- ministri Hoxhaj tha që këtë qëndrim që Scholz e dha në Prishtinë duhet ta thotë edhe në Beograd.
Ish-kryediplomati kosovar beson se mënyra e vetme që Ballkani të stabilizohet është njohja e ndërsjellë mes Kosovës dhe Serbisë, si dhe anëtarësimi i këtyre dy vendeve në Bashkimin Evropian.