Shukri Sylejmani ka pranuar titullin “Nderi i Qytetit” nga kryetari i Komunës së Gjilanit, Lutfi Haziri për kontributin e veçantë dhënë në fushën e sportit dhe avansimin e vlerave, si dhe për kontribut të përgjithshëm në shërbim të atdheut.
Sylejmani e pranoi këtë çmim në mesin e personaliteteve të tjera që u nderuan nga Komuna e Gjilanit.
“Në kohët më të vështira, në okupimin më të rëndë dhe kur mbijetesa njerëzore dhe kolektive, ka qenë e paimagjinueshme pa rolin dhe kontributin e këtyre personaliteteve në organizim e veprimtari të jetës kulturore e sportive. Po ashtu, disa prej emrave të gjeneratës së artë na kanë bërë krenarë me lojën e tyre. Kontributi juaj, ka qenë jetik për këtë ditë të bardhë që po e jetojmë sot”, ka thënë i pari i Komunës së Gjilanit, Lutfi Haziri.
Kujtojmë që Shukri Sylejmani i njohur ndryshe si “MEN-i” ishte njëri ndër donatorët më të mëdhenj të futbollit gjilanas, teksa për 10 vite drejtoi me shumë sukses Klubin Futbollistik “Gjilani” duke e dërguar në piadestalet më të larta të futbollit kosovar.
Në kohën e Sylejmanit Gjilani fitoi Kupën e Kosovës dhe Superkupën e Kosovës. Gjithashtu ishte edhe tri herë të tjera në finale të Kupës së Kosovës (4 vite rradhazi) dhe dy herë nënkampion i vendit.
Përveçse investimeve në klubet e futbollit dhe shoqëritë artistike, Sylejmani gjithashtu kontriboi edhe në ndërtimin e infrastrukturës sportive në vend, saktësisht përmisimit të kushteve në stadiumin e qytetit në Gjilan.
Kujtojmë që dy vite më parë edhe tifo grupi “Skifterat” e kishin shpall Sylejmanin “President Nderi” i SC Gjilanit.