Kur Arbnor Muja iu bashkua skuadrës së futbollit, FC Drita, u vlerësua si “goditje” e qëlluar e bardhë kaltërve, pasi një prurje e tillë u vlerësua se është në vazhdën e ndërtimit të skuadrës me lojtarë të së ardhmes.
Zaten, ai filloi ta dëshmoi këtë edhe me lojëra të mira, e veçmas edhe në paraqitjet që i pati Drita në Evropë, e sidomos lojës së mirë të treguar ndaj një skuadre siç është Feyenoordi, por se më pas erdhi lëndimi që e la jashtë fushës për një kohë.
Pikërisht këto lojëra të mira kanë bërë që Muja të bije në sy, dhe se u përfol së interesimi për të veçse ishte shfaqur nga skuadra jashtë Kosove, por se, Drita si duket kishte plane të tjera me të.
Siç dihet, drejtuesit e klubit Drita kishin zyrtarizuar marrëveshjen me lojtarin Arbnor Muja, duke nënshkruar kontratë trevjeçare e cila do ta mbante atë, me fanellë bardhë e kaltër, deri në qershor të vitit 2024.
Dhe, kur pritej që Muja të tregonte potencialin edhe në kampionatin vendor apo edhe të dihet më konkretisht për përfoljet në drejtim të asaj se cila do të ishte e ardhmja e tij, ky futbollist filloi t’i mungoi skuadrës për shkak të lëndimit.
Mosllogaritja në këtë lojtar për shkak të lëndimit ishte potencuar disa herë edhe nga vet kryetrajneri Ardian Nuhiu, përgjatë konferencave, kur pyetej për mungesën e Mujës, porse kishte zëra që lojtari mund të kishte interesim për ta ndërruar ambientin për ndonjë klub jashtë Kosove dhe mund të kishte hile në këtë mes me arsyetimin e lëndimit, ndërkohë që Drita kishte plane të tjera me të.
Sidoqoftë, nuk kishte diç konkrete që do të mund ta rrëzonte versionin zyrtar se Muja po vazhdonte të rikuperohej nga lëndimi, që e kishte lënë jashtë fushës për disa lojë, për një lëndim që i zgjati më tepër se 2 muaj, e duket se tani më, ai e tejkaloi atë dhe po i rikthehet dalëngadalë ekipit.
E, konferenca e sotme e FC Drita, para ndeshjes me Dukagjinin. ku në krah të kryetrjanerit Nuhiu ishte pikërisht Arbnor Muja, ishte një mundësi e mirë për të kërkuar sqarime nga vet lojtari.
Se mungesa e tij në disa lojë ishte rrjedhojë e lëndimit apo kishte hile, Muja u përgjigj se kjo e hiles nuk është aspak e vërtetë.
“Pas ndeshjes kundër Feyenoordit kam qenë i lënduar. Kam munguar dy ndeshjet e para, pastaj jam rikthyer pjesërisht, me mendim që jam shëruar, por prapë lëndimi më është paraqitur pas dy ndeshjeve. Dhe pastaj bëmë disa analiza dhe doli që duhet të pushoj absolutisht, me një pushim tre javor pastaj të merrem dalëngadalë me rikuperim. Një rikuperim që më zgjati dy muaj e gjysmë apo tre, Kjo është e gjitha”, ka thënë Arbnor Muja, lidhur me këtë çështje.
Gjithsesi, Drita nesër ballafaqohet me Dukagjinin, ndeshje kjo e javës së 16-të, në kërkim të rezultatit poztiv dhe Muja është një lojtar kyç i skuadrës bardhë e kaltër.
Momentalisht FC Drita radhitet e katërta në tabelë, me 25 pikë të grumbulluara, por me një ndeshje më pak të zhvilluar se tre të parët e tabelës (Ballkani – 30 pikë, Gjilani – 29 pikë, Llapi – 25 pikë).