Uran Ismaili nga Partia Demokratike e Kosovës ka thënë se problemet në shëndetësi ekzistojnë. por sipas tij, janë më të pakëta në krahasim me ato që janë trashëguar.
Ai ka folur të enjten në “Debat” te RTK, ku temë ka qenë Shëndetësia.
“Megjithatë është shënuar progres. Qytetarët kanë filluar ta shohin efektin”, ka thënë ai.
Sipas tij, pos furnizimit me barna esenciale, do të prezentohet edhe një listë barnash jashtë spitalore.
“Kjo do të ndodhë gjatë 4 muajve të parë të qeverisjes”, ka thënë Ismaili.
Ai ka thënë se programi i PDK-së është i bazuar në disa shtylla.
“E para ishin shërbimet shëndetësore. Qytetarët e Kosovës dihet se paguajnë më shumë për këto shërbime ne krahasim me vendet tjera në rajon. Prandaj mendojmë se do ta kursejmë qytetarin nga shpenzimet e mëdha.
Shtylla e dytë është të ofrohen shërbime më cilësore. Shtylla e tretë është digjitalizimi”, ka thënë ai
Ai ka thënë se Lista e barnave esenciale është përpiluar me ndihmën e Organizatës Botërore të Shëndetësisë dhe kjo është bërë në mënyrë jashtëzakonisht transparente.