Uran Ismaili, sekretar i Partisë Demokratike të Kosovës ka thënë se kjo parti e ka të qartë mesazhin e marrë nga qytetarët në zgjedhjet e djeshme parlamentare. Ai ka thënë se PDK do të bëjë opozitë “si udhëheqëse që përfaqëson qytetarët”, shkruan Express.
Ismaili tutje ka thënë se shpreson që institucionet të formohen sa më shpejtë të jetë e mundur.
“Qytetarët e Republikës së Kosovës, me votë të lirë, dëshmuan edhe një herë se vendi ynë ka ndërtuar institucione që organizojnë zgjedhje të shkëlqyeshme, shumë mbi nivelin e rajonit. PDK e ka të qartë mesazhin, dhe për ta fuqizuar shtetin e demokracinë – do të bëjë opozitë, si udhëheqëse që përfaqëson qytetarët. Ne do të jemi në shërbimin e tyre të plotë. Shpresoj që institucionet të formohen sa më shpejtë”, ka shkruar Ismaili në Facebook.
Ai i ka falenderuar qytetarër dhe veçmas mbështetësit e PDK-së. Pas kësaj humbjeje, ai ka thënë se është e sigurt që PDK-ja do të jetë më e fortë.
“Falemnderit të gjithë qytetarëve për pjekurinë dhe korrektësinë e treguar në procesin zgjedhor. Në veçanti, mirënjohje të pafundme për të gjithë mbështetësit, votuesit dhe aktivistët e Partisë Demokratike të Kosovës, që me devotshmërinë e tyre të pashembullt mundësuan një fushatë të jashtëzakonshme. Pas këtij kapitulli, gjëja më e sigurt nga e gjithë kjo është se ne do të jemi vetëm më të fortë”, ka shkruar Ismaili.