Ish-deputeti i Lëvizjes Vetëvendosje, Fisnik Ismaili, ka thënë se kryeministrin Albin Kurti e sheh “si konzervë të gullashit” kur ka folur për fushatat që do t’ua kishte bërë partive përmes kompanisë së vet.
“Ndoshta ia kisha bërë Vetëvendosjes shkoni te dikush tjetër. Duhet të besoj në produktin. Për mua Albini konzervë është. Konzerva që dikush shkon me ble një konzervë ajvar, një konzervë gullash, e konzervën e gullashit kur e blen ki me hongër 4 vjet qata”, është shprehur Ismaili në emisionin DPT te Fidani.
Ismaili, e ka klasifikuar politikën aktuale të degraduar.
“Për qe ma ka marrë mendja qe vazhdojmë me degradu si shoqni s’ma ka marrë mendja. Janë pasoja prej një mosedukimi shumë të gjatë, prej paslufte. Por edhe prej pushtetit të ri, thjesht nuk po ndryshon asgjë dhe po degradon”, u shpreh ai.
“Klasa politike më nuk është interesant. Para 5 viteve ka qenë një kuvend shumë i qartë, sot nuk ke. Nuk din as me shkru”, tha ai.
Ismaili ka thënë se qeveria aktuale i ka humbur krejt parimet që i ka pasur.
Ismaili ka thënë se VV-ja ia ka lënë Dardan Molliqajt të gjitha fajet dhe “e ka çitur” prej partisë, “dhe i dolën të palarat”.
“Pishman nuk i bie që kam qenë në Vetëvendosje. Përvojë e mirë jetësore ka qenë. Kuvendi i Kosovës përfaqëson mendësinë dhe njerëzit e Kosovës. Qysh ka degraduar qiky milet ka degraduar edhe Kuvendi”, tha ai.
Ish-deputeti i Vetëvendosjes, e ka përmendur edhe largimin e Aida Dërgutit dhe “fjalët” e përdorura ndaj saj.
“Për Aida Dërgutin kurrë nuk ia fali. Fëlliqësira”, u shpreh Ismaili.
Ismaili ka thënë se i ka thënë “përfundimisht jo politikës”.