Në fjalimin e tij të mbajtur në Kuvendin Komunal të Gjilanit më 21 tetor 2024, Ismajl Kurteshi diskutoi rëndësinë e ngritjes së kujdesit institucional për grupet e margjinalizuara.
Ai theksoi se këto grupe, të cilat përfshijnë persona me nevoja të veçanta, fëmijët jetim, të moshuarit dhe të tjerët që nuk kanë mbështetje të mjaftueshme familjare, kanë nevojë për përkrahje profesionale nga institucionet shtetërore.
Kurteshi nënvizoi nevojën që institucionet të krijojnë kushte më të mira për integrimin dhe përmirësimin e cilësisë së jetës së këtyre individëve, duke përfshirë mbështetjen ndaj organizatave joqeveritare dhe funksionalizimin e shërbimeve ekzistuese.
Shkrimi i plotë:
Fjala ime ne Kuvendin Komunal 21. 10. 2024
Diskutim rreth ngritjes së kujdesit institucional për grupet e margjinalizuara
Grupet e margjinalizuara, janë pjesë e rëndësishme e shoqërisë, që kanë nevojë për përkrahje, të cilën zakonisht, në radhë të parë e gjejnë në familje, kurse familja shpesh nuk ka mundësi, për arsye të ndryshme, të ofrojë përkrahjen e nevojshme, sidomos atë profesionale, prandaj institucionet duhet të kujdesen që t’ua lehtësojnë jetën personave me nevoja të veçanta, fëmijëve jetim, personave të moshuar, që nuk përkrahen nga familjet e tyre etj., duke ua mënjanuar pengesat në jetë në mënyrë që ata të jetojnë më mirë dhe të integrohen sa më mirë në shoqëri.
Në çdo vend, kur institucionet qeveritare apo komunale, nuk mund të ofrojnë shërbime për këto kategori, atëherë atyre ju duhet t’i përkrahin OJQ-të që ofrojnë shërbime të tilla.
Në Gjilan si dhe komunat për rreth, veprojnë disa Organizata Joqeveritare të cilat kryejnë shumë shërbime për kategoritë e lartpërmendura edhe pse ato përkrahen pak, si nga donatorët ashtu edhe nga institucionet komunale.
HENDIKOSI në Gjilan, bashkë me Shoqatën e të Verbërve, si dhe Shoqatën e të Shurdhërve, që nga paslufta kanë ofruar shërbime të shumta si: Furnizim me mjete ortopedike, shërbime logopedike, seanca psikologjike, shërbime infermierie, furnizim me terapi mjekësore (të përshkruar nga mjeku), ofrim të transportit për vizita mjekësore, trajnime për të verbëritë, kujdes për fëmijë me Sindromin Daun etj.
Viteve të fundit janë aktivizuar edhe disa organizate të tjera në komunën tonë si: Sindrom Daun, Pema, etj.
Përkundër angazhimit të madh të këtyre organizatave dhe përkrahjes së kohëpaskohshme të institucioneve komunale dhe qendrore, nevojat e grupeve të margjinalizuara nuk janë as përafërsisht të plotësuara, dhe kjo pastaj shkakton mos marrjen e shërbimeve të domosdoshme për ta nga ana e profesionistëve të fushës. Kështu persona me nevoja të veçanta si dhe ata me autizëm, ballafaqohen me vështirësi të këtilla, duke mos pas mundësi të marrin shërbimet adekuate për ta.
Për Personat me Aftësi të Kufizuara, vështirësitë e para paraqiten që në çerdhe e pastaj në shkollë. Shkollimi fillor është obligues, gjithëpërfshirës, prandaj obligohet Drejtoria Komunale e Arsimit, që në të gjitha këta hapa, t’i përfshijë ata në shkollë.
Trupat vlerësuese, për vlerësimin e fëmijëve, me Aftësi të Kufizuara po ashtu duhet të jenë funksionale.
Fëmijët me Aftësi të Kufizuara, kanë nevojë edhe për asistentë në kopshte e shkolla, shpesh prindërit e tyre paguajnë individualisht asistent për ta. Prandaj Drejtoria e Arsimit, duhet të angazhohet më shumë, edhe rreth kësaj çështjeje.
Personave me nevoja të veçanta, sidomos fëmijët dhe të moshuarit që kanë nevojë për qëndrim tërë ditor, komuna duhet t’ju bëjë zgjidhje si me sigurimin e hapësirave të nevojshme si me sigurimin e personelit profesional, që do të kujdesej për ta terë ditën. Kështu familjarët e personave që kanë nevojë për përkujdesje terë ditorë, e që shpesh janë të punësuar dhe nuk kanë mundësi të jenë tërë ditën të angazhuar me familjarin e tyre në nevojë lirohen nga ky obligim i pa përballueshëm.
Problem për Personat me Aftësi të Kufizuara, janë edhe vështirësitë në qasje, siç janë mungesa e pjerrinave, në institucionet shkollore, mjekësore, dhe institucionet e tjera.
Duke e pas parasysh këtë situatë:
1. Komuna e Gjilanit, duhet ta rris dukshëm kujdesin institucional ndaj këtyre kategorie, të ndajë më shumë mjete financiare me të cilat duhet të sigurojë dhe hapësira të mjaftueshme, në radhë të parë duke i funksionalizuar ato ekzistuese, si dhe mjete pune të nevojshme për këto kategori, t’i përkrahë organizatat që merren me personat me nevoja të veçanta dhe sidomos të angazhojë ekspertë të kualifikuar (trajnuar), për përkujdesjen e tyre.
2. Duke pas parasysh edhe nevojën për hapësira, për OJQ-ë që mund të ofrojnë shërbime, në radhë të parë duhet të funksionalizohen objektet ekzistuese, siç është “Fshati i lumtur” (Qendra për jetim dhe persona të moshuar) e pastaj, nëse ka nevojë për objekte të tjera, të ndërtohen objekte të tjera për këto kategori.
Kujdesi ndaj këtyre grupeve, përveçqë se është obligim moral është edhe obligim ligjor.
Ismajl Kurteshi, tetor 2024.