Nënkryetari i Komunës së Gjilanit, Arbër Ismajli, me rastin e ndarjes nga jeta të doktor Nysret Hajrullahu, ish-drejtor i Spitalit të Përgjithshëm, ka thënë se vepra, përkushtimi dhe kultura e punës tij, është e jashtëzakonshme në cilësinë e profesionistit dhe njëherit edhe të humanistit shembullor që mbrëmë u nda nga jeta.
“Në emër të institucioneve komunale u shpreh ngushëllimet më të sinqerta familjes, kolegëve të tij, dhe të gjithë qytetarëve për humbjen e një doktori tepër të veçantë. Këto janë momente shumë të rënda dhe nuk ka fjalë për ta përshkruar këtë boshllëk të madh që ai ka lënë me largimin për në amshim. Me humbjen e tij, përpos familjarëve, kolegëve dhe stafit, të gjithë e kemi humbur një mik, bashkëpunëtor dhe njeri të jashtëzakonshëm, çfarë ka qenë doktor Nisreti. Në këto momente tepër të vështira, uroj që gjeneratat e reja ta ndjekin rrugën e tij, jo vetëm profesionale, por edhe njerêzore dhe humane”, ka thënë nënkryetari Ismajli në fjalën e tij.
Drejtori Klinik iSpitalit të Përgjithshëm të Gjilanit, dr. Ukshin Ismajli, ka sjell kujtimet e tij të punës dhe kontributin e dhënë të dr. Nisretit gjatë jetës së tij, duke spikatur procese shumë të vështira që janë tejkaluar me një menaxhim të jashtëzakonshëm, periudha e luftës, pastaj ngjarja e termetit që e goditi Gjilanin në vitin 2002, situata e vështirë në vitin 2004, e fundit dhe shumë e rëndësishme, përballja dhe angazhimi profesional në menaxhim të pandemisë globale Covid-19.
“Kemi kaluar shumë vështirësi në punë dhe në rrugëtimin tonë profesional e njerëzor, por ngjarja e djeshme ka qenë ndër më të rëndat dhe e trishtueshme. Familjarët të bëhen të fortë, sepse ai pas vetes ka lënë krenari, vepra të mrekullueshme dhe kulturë shumë të veçantë të një njeriu me vyrtyte të jashtëzakonshme. Ndërsa reparti i Pulmologjisë, përpos ngushëllimit, duhet të jenë të fortë sepse kanë një rrugë të trasuar se si duhet të punohet me përkushtim në shërbim të shëndetit të mirë”, ka thënë ai.
Me emocione të pa përmbajtura ka folur nga reparti i pulmologjisë, dr. Agim Kryeziu, i cili ka evokuar kujtimet e tij me doktorin, duke e cilësuar se tani e tutje ky repart ka humbur një kuadër të jashtëzakonshëm dhe “vendi i tij nuk mund të zëvendësohet asnjëherë, sepse ai kërkonte të bëhej më shumë, të jemi pranë çdo pacientit dhe të garantojmë suksese në punën që e bënim.
Poashtu, me fjalën e tij është paraqitur edhe doktor Besim Guda, i cili ka thënë se ai ishte më i veçanti nga të gjithë profesionistët që ka Spitalit dhe Gjilani, sepse ai ka dhënë gjithçka nga vetja që reparti ku punoi dhe institucioni të jenë gjithnjë shembull i fuqishëm, jo vetëm në nivel vendi.
“Kur ikën një mik, ikën një buzëqeshje, ikën një dritare jete, ikën një takim, një bisedë, ikën një telefonatë e shumëpritur. Ai iku shpejtë edhe pa na thënë lamtumire. Ai më nuk është në mesin tonë, por ka lënë një dhembje më të madhe se malet. Puna jonë në të ardhmen do të jetë në funksion të udhëzimeve, ndershmërisë dhe mësimeve që të gjithëve na ka dhënë”, ka thënë Guda.
Në emër të familjes, ka folur vajza e të ndjerit, Vjosa Hajrullahu, e cila ka falënderuar të pranishmit për solidarizimin, duke theksuar se “dhimbjen sot po e mund krenaria që babi na ka lënë neve familjes së tij përmes dashurisë së të gjithë juve. Ai vrapoi gjithmonë, prapa familjes, punës, kolegëve dhe të gjithë personave që ai i ka njohur ose që i kishte pacientë. Unë e familja jonë e humbëm babin dhe njeriun e dashur i cili ishte me krahë të bardhë dhe do të na mungoj përgjithmonë, përkundër që vepra e tij do të jetoj gjatë”, tha ajo.
Ndryshe, nën përkujdesjen e kryetarit të Gjilanit, Lutfi Haziri, nesër mbahet mbledhje komemorative kushtuar veprës së dr. Nisret Hajrullahut, në ora 11:00, në sallën e Teatrit të Qytetit.