Arbër Ismajli, kandidati i LDK-së për kryetar të Gjilanit, sjell një vizion të ri për qytetin. Ai premton të hapë horizonte të reja, të ndërtojë ura besimi dhe të punojë për interesin e përbashkët të qytetarëve.
Koha ka ardhur për një kapitull të ri në historinë e Gjilanit. Ismajli, thotë se qyteti mund të rikthejë frymën qytetare, shpresën për të rinjtë dhe besimin në një të ardhme më të mirë.
Qytetarë të dashur,
Ky pushtet është pushtet i ligësisë, ku mendësia e intrigës është bërë pjesë e identitetit të tij!
Ka humbur besimin e qytetarëve, ka vrarë shpresën e të rinjve dhe ka lënë pas vetëm papërgjegjësi, kaos e improvizime.
Në vend që të hapë horizonte të reja, ka mbyllur dyer. Në vend që të ndërtojë ura besimi, ka ngritur mure përçarjeje. Në vend që të punojë për të mirën e përbashkët, ka punuar vetëm për interesat e ngushta të klaneve të veta.
Ky pushtet i intrigës ka cenuar dhe goditur çdo vlerë e çdo normë morale, duke e futur shoqërinë tonë në lajthitje. Sot e gjithë ditën prodhon armiq imagjinarë, lufton me mullinjtë e erës dhe shpik kundërshtarë të paqenë.
Ky pushtet ka vetëkonsumuar idenë e bashkimit kombëtar, duke e përdorur në mënyrë të rrejshme vetëm për të ardhur në pushtet.
Ka futur në popullizëm e intriga Rambujen, ka vënë në dyshim pavarësinë e Kosovës, ka manipuluar çështjen e shqiptarëve të Maqedonisë, ka tentuar të fusë “Kalin e Trojës” në Shqipëri dhe ka vënë në terren të rrëshqitshëm shtetet mike të Kosovës anembanë botës.
Ky pushtet i truqeve dhe intrigave e ka futur Gjilanin në një llucë të stërkeqjes e frustrimit. Ka lënduar thellë frymën qytetare, duke e shndërruar Gjilanin dikur qytet të urtësisë dhe demokracisë, në një vend të frustruar e të frikësuar, të mbushur me njerëz të dyshimtë e të panjohur, që shfaqen vetëm kur marrin drejtori dhe institucione për t’i keqqeverisur ato.
Tani, është koha që t’i japim fund këtij realiteti të trishtë dhe të hapim një kapitull të ri për Gjilanin e ri.