Sot, në vazhdën e takimeve të njëpasnjëshme, bashkë me Drejtorin për Shëndetësi, Selami Xhemaili, dhe përfaqësuesit e Komisionit Komunal për Emërgjenca, IKSHP-në, Shëndetësinë primare dhe Spitalin Regjional, kemi vizituar Qendrën Regjionale të Shëndetit Publik, ku na është konfirmuar se nuk ka raste të reja dhe se ato të konfirmuara më parë janë duke u trajtuar nga institucionet shëndetësore, ku është duke u monitoruar edhe vetizolimi i familjeve me të cilat kanë pasur kontakt të prekurit.
Kemi mobilizuar të gjitha institucionet me kujdestari 24 orëshe për të garantuar ofrimin e shërbimeve shëndetësore për të gjithë qytetarët. Gjithashtu, Komuna e Gjilanit ka bërë dezinfektimin e Qendrës së Mjekësisë Familjare në Zhegër, në Cërrnicë dhe në klubin e gazetarëve “Beqir Musliu”. Ditëve në vijim do të bëhet dezinfektimi i objekteve të vjetra të banimit kolektiv në qendrën e qytetit, me kërkesën e banorëve.
Një falënderim të veçantë publik shkon për Dr. Burbuqe Shkodra, e cila parreshtur, qysh nga dita e parë, vazhdon aktivitetet e saj në kontakt me të gjithë qytetarët, për të qenë në kohë me gjendjen shëndetësore të tyre.
Faleminderit dr.Buqe!
Bashkë ja dalim!