Kuvendi Komunal i Gjilanit, në seancën e sotme, të mbajtur nën kryesimin e Shpresa Kurteshit-Eminit, ka shqyrtuar dhe miratuar rregulloren për organizmin e brendshëm dhe sistematizimin e vendeve të punës në Shërbimin civil komunal, rregulloren për kutitë e ankesave në institucionet e arsimit para universitar, Kodin e etikës, planifikimin e lokacionit për vendosjen e trafo stacionit në lagjen “Arbëria”, vendimin për miratimin e nismës së Kryetarit të Komunës së Gjilanit, për bashkëpunim me komunat fqinje, në fushën e mbrojtjes nga fatkeqësitë natyrore dhe fatkeqësitë tjera, iniciativën për themelimin e Qendrës kulturore evropiane, emërtimin e AMF në fshatin Shurdhan me emrin “Mihrije Kadriu Hasani” si dhe raportin e punës së Komisionit komunal të aksionarëve të ndërmarrjeve publike “Tregu”.
Nënkryetari i Komunës, Arbër Ismajli, duke iu përgjigjur interesimeve të këshilltarëve Nevzad Isufi, Riza Abdyli, Bujar Nevzati, Arijeta Rexhepi, Isa Agushi, Mustafë Rexhepi, Nehat Osmani, Arta Nuhiu, Hevzi Xhelili, Ibish Ibishi, Avdyl Aliu, Arianit Sadiku dhe të tjerë, që kryesisht kishin të bënim me pandeminë, por edhe me çështje të tjera, ka thënë se Gjilani ka qenë lider në menaxhimin e situatës epidemiologjike, por me sa duket nga shifrat e të infektuarve, tani Kosova ka hyrë në fazën e dytë dhe numri i të prekurve me Covid është rritur dukshëm.
Në Gjilan, momentalisht janë të prekur 449 persona, 148 raste aktive ndodhen në spital për trajtim, ose në vetë izolim, kurse 15 qytetarë, për fat të keq e kanë humbur betejën me Covid 19, ka thënë Ismajli, duke shtuar se aktualisht, në karantinë ndodhen mbi 40 familje.
Sa iu përket vendimeve të IKSHP, Ismajli ka thënë se nuk është dakord me një pjesë të masave dhe ka shprehur frikën se shkaku i disa kufizimeve të bizneseve, në shtator-tetor mund të përballemi me një krizë të madhe sociale dhe ekonomike dhe gjendja mund të jetë e papërballueshme.
Ndërkaq, sa iu përket ndihmës për biznese, Ismajli ka thënë se të gjitha ato biznese që shfrytëzojnë pronën komunale, janë liruar nga qiraja për një periudhë 6-muijore, ndërsa te pronarët privatë, Komuna nuk ka mundur të ndërhyjë, por ka bërë apel për mirëkuptim sa i përket pagesës së qirasë në këtë periudhë pandemie.
Ndërkaq, sa i përket pyetjes për ndërtimin e rrugës Vërbicë e Zhegocit – Sllovi, ku siç u tha ka vonesa, Ismajli ka thënë se projekti është duke u zhvilluar sipas planit dinamik, por punë kryesi ka njoftuar se ka disa probleme me shembjen e një pjese shkëmbore afër një lagjeje, e cila duhet të bëhet me eksploziv si dhe me disa shtylla të tensionit të lartë të rrymës.
Kurse problemi i lumit Stanishorka do të zgjidhet me projektin e impiantit të ujërave të zeza, ka thënë Ismajli.
Kuvendi ka vazhduar me pikat tjera, me ç`rast rregulloren për kutitë e ankesave në institucionet e arsimit para universitar e ka paraqitur drejtori i Arsimit, Nazim Gagica, i cili propozoi disa plotësime e ndryshime, ndërsa me diskutime kontribuuan Afërdita Bala, Mimoza Kadriu, Burim Berisha, Nevzad Isufi, Arta Nuhiu, Xhelal Hajrullahu, Riza Abdyli, Arijeta Rexhepi, Shefik Surdulli dhe të tjerë.
Sa i përket rregullores për organizimin e brendshëm në administratën komunale, qëllimi i së cilës është transparenca, profesionalizmi, llogaridhënia, përgjegjshmëria dhe efektiviteti në punë dhe detyra punuese gjatë ushtrimit të veprimtarisë administrative, sqarime ka dhënë Bardhyl Syla, drejtor i Administratës, i cili pastaj është përgjigjur edhe në pyetjet konkrete të këshilltarëve komunalë.
Projekt rregullorja përmban harmonizimin e titujve të punës me katalogun e vendeve të punës, të miratuar nga Qeveria e Kosovës, riorganizimin e sektorëve të nevojshëm, krijimin e zyrës për projekte dhe të tjera, sikurse bën përcaktimin e numrit aktual të pozitave si dhe pozitave të reja të planifikuara cilat janë të nevojshme për plotësim në të ardhmen sipas nevojave të Komunës dhe në përputhje me Ligjin për Buxhetin e Republikës së Kosovës si dhe kritereve të tjera që kanë të bëjnë me detyrat e punës.
Vendimmarrësit patën vërejtje kryesisht te përvoja e punës, e cila parashihet si kriter për punësim, por në të vërtetë, sipas tyre, i diskriminon të rinjtë që kanë kryer shkollimin, ndërsa nuk kanë pasur mundësi ta bëjnë përvojën.
Ndërkaq, Kodi i Etikës, që po ashtu e paraqiti drejtori Bardhyl Syla, synon të përcaktojë rregullat e sjelljes së zyrtarëve publikë, detyrat dhe kompetencat në bazë të legjislacionit në fuqi si dhe në përputhje me frymën e etikës profesionale dhe morale.
“Edhe pse deri më tani ekzistojnë disa rregulla të sjelljes së zyrtarëve të cilat burojnë nga ligji,
në të shumtën e rasteve ka pasur vështirësi dhe mangësi ligjore në aspektin e detyrimeve dhe
disiplinës në punë”, ka nënvizuar Syla.
Kryesuesja e Kuvendit, Shpresa Kurteshi-Emini kërkoi që pika e cila ka të bëjë me tatuazhet të riformulohet, për të shmangur mundësinë e diskriminimit eventual të personave që mbajnë tatuazhe në trupin e tyre.
Kuvendi e miratoi me disa modifikime Kodin e Etikës.
Kuvendi e ka miratuar edhe iniciativën për themelimin e Qendrës kulturore evropiane, të cilën e ka prezantuar dhe arsyetuar drejtoresha e Kulturës, Deniza Limani, e cila tha se komuna e Gjilanit ka nevojë për një qendër të tillë, si mundësi alternative për klubet, shoqatat, organizatat dhe kulturën në përgjithësi, për të përfituar fonde nga Bashkimi Evropian.
Kuvendi, po ashtu miratoi edhe vendimin për emërtimin e ambulancës në fshatin Shurdhan me emrin “Mihrije Kadriu Hasani”, e cila, siç u tha, ka qenë një grua e nderuar që është kujdesur shumë për shëndetin e banorëve të kësaj zone të Karadakut.
Emërtimi i AMF në Shurdhan me emrin “Mihrije Kadriu Hasani” në të vërtetë, ishte nismë e komunitetit të fshatit dhe Kuvendi Komunal i dha përkrahje të plotë kësaj kërkese.