Nënkryetari Arbër Ismajli ka shprehur keqardhje për shtyrjen e miratimit të vendimit për ndërrimin e pronave, të enjten në Kuvendin Komunal të Gjilanit, duke thënë se bëhet fjalë për një investim kapital mjaft të rëndësishëm, i cili do të realizohet në bashkëpunim me DEMOS-in dhe ministrinë përkatëse.
Sa i përket pyetjes rreth dinamikës së punimeve në rrugën hyrëse-dalëse në drejtimin Gjilan-Ferizaj, ku opozita ka kërkuar përshpejtim të punimeve, përkatësisht shqyrtimin e mundësive për ndërprerjen e punimeve gjatë muajve korrik e gusht, për shkak të ardhjes së mërgimtarëve, Ismajli ka thënë se presim që deri atëherë të përfundojë pjesa deri te qarkorja, në mënyrë të lehtësohet qarkullimi.
Ai ka premtuar se shumë shpejt do të fillojë edhe rregullimi i tregut të gjelbër, sapo të përfundojë revidimi i projektit fillestar, i cili ka pasur një vlerë jashtëzakonisht të madhe.
Edhe për përfituesit e fondit të ekselencës, ai ka thënë se lista do t`iu dërgohet këshilltarëve komunalë, derisa ka mohuar pretendimet se Komuna e Gjilanit është duke e penguar për qëllime politike caktimin e një lokacioni për zonë ekonomike.